“Birmingham Live”: Turistët britanikë zgjedhin Shqipërinë, pas braktisjes së Spanjës dhe Greqisë

AKTUALITET


Turistët britanikë mund të braktisin Spanjën dhe Greqinë mes tensioneve në rritje – dhe të shkojnë në Shqipëri, tha TUI, sipas një artikulli të botuar në “Birmingham Live”.

Kompania TUI – e cila rivalizohet nga “Jet2”, “Ryanair”, “Easyjet” dhe të tjerë –  tha se Shqipëria mund të jetë destinacioni i radhës për britanikët.

Shefi ekzekutiv i TUI, Sebastian Ebel tha për “The Independent” se pas protestave kundër turizmit në Spanjë dhe Greqi, me të dy vendet ku shihen grafite anti-turistike të skalitura javët e fundit, Shqipëria pritet të jetë destinacioni i pushimeve verore për turistët britanikë dhe jo vetëm.

“Unë mendoj se perspektiva është e madhe dhe nuk do të habitesha nëse fillojmë një program të rëndësishëm atje”, tha ai.

“Aktualisht, mënyra më e mirë për të vizituar Shqipërinë është të rezervoni fluturimet dhe hotelet. Shqipëria ka regjistruar një rritje të popullaritetit gjatë muajve të fundit, veçanërisht bregdeti shqiptar”, shtoi Ebel.

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Unë jam një adhurues i madh i Shqipërisë dhe mendoj se duhet dhe mund të bëjmë më shumë”, tha ai.

Ebel zbuloi se 10 vjet më parë – kur ai i ishte bashkuar bordit ekzekutiv të TUI – kishte sugjeruar mundësinë për të përfshirë Shqipërinë në listën e destinacioneve për pushime.

“Fillimisht, unë nuk mund t’i bindja njerëzit të investonin atje. Por, me pas dy nga pushuesit tanë shkruajtën vlerësimet e tyre në faqen e internetit: “Hoteli ynë, “Vila One Beach” – ndodhet në plazhin më të bukur dhe të pastër. Kuzhinieri i shkëlqyer i hotelit na ofronte çdo natë kuzhinë tradicionale shqiptare – jo nga menyja, ai thjesht pyeste se çfarë na pëlqente. Ne do të kthehemi sërish në Shqipëri”, citoi Ebel.

“Ne synojmë një turizëm të nivelit të lartë në Shqipëri. Gjithashtu, në vend po nxiten investime për hotele me katër dhe pesë yje me emra ndërkombëtarë”, tha Bordi Turistik i Shqipërisë vitin e kaluar.



Skip to toolbar