Biznesi kundër daljes në treg të lirë në janar 2022

EKONOMI


Shoqatat e biznesit është kundër vendimit të qeverisë që i nxjerr ato në treg të lirë nga janari 2022.

Bëhet fjalë për mbi 7 mijë biznese të cilët nuk do të furnizohem më me tarifa të rregulluara nga Operatori I Shpërndarjes së Energjisë Elektrike por do të duhet të gjejnë një furnizues privat për të lidhur kontratë.

Në deklaratën e përbashkët biznesi nënvizon se momenti aktual është i papërshtatshëm dhe do t’i ekspozojë ato ndaj kostove të jashtëzakonshme që do të kenë efekt zinxhir në kostot e prodhimit, uljen e eksporteve, tkurrjen e punësimit e për rrjedhojë edhe më pak taksa në arkën e shtetit.

Ata theksojnë se procedurat që duhet të ndiqen janë të paqarta ndërkohë që mungon ende bursa e energjisë që duhet të jetë funksionale për të bërë tregun sa më konkurrues dhe transparent.

Deklarata dhe kërkesat e biznesit

“Karakteristikat fiziko-gjeografike dhe klima i atribuojne Shqipërisë një potencial të madh për energjinë hidroelektrike, energjinë diellore dhe energjinë e erës. Pavarësisht potencialit të madh të energjisë së pastër, totalisht nga burimet e rinovueshme, aktualisht vendi nuk prodhon atë që është e nevojshme për nevojat e tij dhe është i detyruar të importojë nga jashtë, duke vuajtur kështu pasojat negative të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Shqipëria është një vend që energjinë e prodhon nga burime 100% të rinovueshme, siç janë hidrocentralet. Por, politika e qeverisë shqiptare, prej vitesh ka qenë një politikë tregtare. Në kushtet aktuale, që çmimi i importit është rritur shumë, kuptohet që kjo politikë tregtare e emergjencës, është jo fitimprurëse. Shqipëria ka një potencial hidro-elektrik dhe mund ta shtojë kapacitetin e prodhimit të brendshëm me 33%. Me këtë shtesë të prodhimit të hidrocentraleve, do të mund të plotësonte kërkesat e brendshme për energji, pa qenë e varur nga çmimet e importit dhe nga kriza e energjisë.

Biznesi vendas dhe i huaj është njoftuar që prej janarit të 2022, se 7538 biznese do të bëhen pjesë e tregut të liberalizuar të energjisë elektrike.

Shoqatat e biznesit shqiptare dhe të huaja pasi u njohën me këto ndryshime kundërshtojnë këto masa, pasi ky ndryshim do të sjellë si pasojë: rritjen e ndjeshme të kostove të prodhimit, të kostove të shpërndarjes, të magazinimit të mallrave dhe produkteve. E gjitha kjo do të reflektojë në mënyrë të paevitueshme rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendas. Rritja e kostove të prodhimit do të sjellë uljen të prodhimit, ulje të importeve dhe esporteve, duke rezultuar në një tkurrje të ekonomisë, e cila do të pasohet me uljen e punësimit dhe uljen e kontributeve e taksave.

 Shoqatat e biznesit, nëpërmjet kësaj deklarate kërkojnë fuqimisht:

  1. Të qartësohen dhe garantohen kushtet për një treg energjetik të stabilizuar, të paanshëm, joarbitrar, demokratik, pasi nuk ekzistojnë absolutisht kushte të tilla për daljen në treg të 7538 subjekteve sipërmarrese, të cilat aktualisht furnizohen me energji nga operatori publik. Nuk mund të hyhet në një treg pa ditur më parë rregullat e funksionimit të tregut. Aktualisht në Shqipëri nuk ka as treg të liberalizuar dhe as bursë energjie, e cila është kushti vendimtar për vetë ekzistencën e tregut të energjisë elektrike.
  2. Të mos rriten tarifat për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë. Propozimi i OST-së dhe OSHEE Sh.a. për rritjen e tarifave përkatëse të shpërndarjes dhe transmetimit është i pabazuar në kostot reale të këtyre dy subjekteve. Në kushtet aktuale të krizës energjetike, rritja e këtyre tarifave nuk reflektohet proporcionalisht me kostot që ka operatori i transmetimit dhe ai i shpërndarjes. Citojmë propozimin e OST-së për rritje të tarifës, i cili nuk justifikon humbjen ekonomike dhe kostot e tij.
  3. 3. Të miratohen ndryshime të nevojshme ligjore për lehtësimin e procedurave të vetëprodhimit të energjisë elektrike nga shoqëritë e vogla, të mesme apo klientë familjarë pa u limituar te fuqia e instaluar 500 kW nga panelet diellore, por edhe duke përfshirë burime të tjera të rinovueshme të tilla, si era apo uji.
  4. Kërkojmë që rritja e çmimit të energjisë të jetë trasparente dhe të reflektojë vetëm pjesën e tarifës së energjisë së importuar.
  5. Të krijohet urgjentisht një tryezë teknike negociatash me praninë e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe komunitetit Europian.
  6. Nëse nuk do të ketë asnjë dialog për krijimin e tryezës teknike, shoqatat e biznesit që kanë përgatitur këtë deklaratë, do të ndërmarrin veprime të tjera të dakordësuara, që do të komunikohen pas datës 24 dhjetor.

Shoqatat e biznesit:

-Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë

-Bashkimi Tregtar i Shqipërisë

-Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri Proeksport Albania

-Shoqata e Investitorëve të huaj (FIAA) CCIA-Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri

-Shoqata Shqiptare Turizmit – ATA

-Shoqata e ricikluesve të Shqipërisë Shoqata Shqiptare e Energjisë se Rinovueshme – AREA

-Shoqata e Përpunuesve të Miellit Dhoma e Tregtisë Francë-Shqipëri.



Skip to toolbar