Biznesmeni Kastriot Reçi dyshohet se është vrarë me snajper. Dyshimet e para të policisë për ekzekutimin e Reçit me snajper erdhën pas dëshmive kontradiktore në vendin e ngjarjes, por disa minuta më vonë, gjatë kontrolleve në një pallat pranë vendit të ngjarjes, është gjetur një snajper i braktisur, armë që dyshohet se është përdorur pikërisht për ekzekutimin e 47-vjeçarit.
Sipas të dhënave nga policia, snajperi u gjet në tarracën e një pallati gjatë kontrolleve të ushtruara nga forcat e policisë, të cilat janë mbështetur edhe nga reparti special RENEA. Ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj si dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Arma e gjetur në tarracë është dërguar menjëherë për ekspertim, ndërsa policia po bën këqyrjen e kamerave të bizneseve në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Po ashtu, policia ka pyetur banorët e pallatit, ku u gjet snajperi për lëvizje të dyshimta në pallat, me qëllim identifikimin e personit ose personave të dyshuar që ekzekutuan Kastriot Reçin.
Dyshimet e para për përdorimin e snajperit lindën pikërisht pas dëshmive në vendngjarje, ku personat e pranishëm ishin kontradiktorë. Një dëshmitar u shpreh se ai pranë Reçit kaluan disa të rinj, kur u shemb përtokë, ndërsa të tjerë thoshin se nuk kishin dëgjuar krisma. Po ashtu pati edhe dëshmi se kishin dëgjuar disa krisma. Pikërisht për shkak të këtyre dëshmive, policia zgjeroi rrethin e vendit të ngjarjes, duke ngritur dyshime se ai ishte vrarë nga larg dhe që në këto kushte sollën zbulimin e snajperit.
Gjetja e snajperit komplikon dhe më shumë hetimet, pasi policia dyshon se vrasja është kryer nga profesionistë, duke pasur parasysh edhe faktin se nga këqyrja paraprake, nuk është gjetur asnjë gjurmë në armën e braktisur.