Blinken: Ka rëndësi se si mbrohet Izraeli

BOTA


Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara “qëndrojnë fort me Izraelin”.

“Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur veten dhe për të siguruar që ngjarjet e 7 tetorit të mos përsëriten kurrë”, tha Blinken më 3 nëntor në Tel Aviv pas një takimi me presidentin izraelit, Isaac Herzog.

Blinken qëndroi të premten në Izrael për të bërë presion që më shumë ndihmë humanitare të lejohet të hyjë në Gazën e rrethuar, përderisa trupat izraelite kanë ashpërsuar rrethimin e tyre të qytetit të Gazës për të fokusuar fushatën e tyre në shtypjen e grupit militant Hamas, që udhëheq këtë enklavë.

Kreu i diplomacisë amerikane tha në të njëjtën kohë se “është e rëndësishme se si e bën Izraeli” – dhe se është e rëndësishme të bëjmë gjithçka për të mbrojtur civilët “të kapur në zjarrin e krijuar nga Hamasi”.

Më 7 tetor, organizata militante palestineze, Hamas, kreu sulme në të cilat, sipas zyrtarëve izraelitë, u vranë më shumë se 1.400 njerëz dhe më shumë se 200 u rrëmbyen.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, thotë se më shumë se 9.000 njerëz në Rripin e Gazës janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar Hamasin si organizatë terroriste.

Blinken theksoi se ndihma duhet të arrijë tek qytetarët e Rripit të Gazës të cilët kanë nevojë dëshpërimisht për të.

Kurse, presidenti izraelit tha se para sulmit, forcat e tij të armatosura i paralajmëruan banorët e Gazës duke dërguar gjashtë milionë mesazhe me tekst, duke bërë katër milionë telefonata dhe duke shpërndarë 1.2 milion pamflete.

Herzog tha se Izraeli i bindet ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë paralajmërimin e civilëve përpara sulmit në kampin e refugjatëve Jabaliya – i cili vrau dhjetëra njerëz në Gazën veriore, duke përfshirë një komandant të Hamasit.

Komentet e Blinkenit u bënë pasi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se në Gaza ishte kryer një “shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar”.

Gjatë vizitës së tij në Izrael, Blinken u takua edhe me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës në Izrael më 3 nëntor 2023.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës në Izrael më 3 nëntor 2023.

Në kufirin verior me Libanin, tensionet po vazhdojnë të përshkallëzohen para fjalimit të planifikuar për më vonë gjatë të premtes të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Ky do të jetë fjalimi i tij i parë që kur Hamasi sulmoi Izraelin muajin e kaluar, duke nxitur frikën se konflikti Izrael-Hamas mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.

Të enjten, Hezbollahu, aleat i Hamasit, sulmoi pozicionet izraelite në veri duke kryer sulme me dronë, mortaja dhe me dronë vetëvrasës. Ushtria izraelite tha se është kundërpërgjigjur me sulme me avionë dhe helikopterë luftarakë.

Që kur lufta në Gazë nisi më 7 tetor, Hezbollahu ka ndërmarrë hapa të kalkuluar për të angazhuar ushtrinë izraelite në kufi me Libanin, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë përshkallëzim që do të nxiste një luftë.

Kjo është vizita e tretë e Blinkenit në Izrael që nga sulmi i Hamasit dhe i zhvillua pak pasi presidenti amerikan, Joe Biden, sugjeroi për një “pauzë” humanitare të luftimeve.

Izraeli nuk është përgjigjur menjëherë për sugjerimin e Bidenit. Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paraprakisht kishe hedhur poshtë mundësinë e armëpushimit dhe të mërkurën, tha se “ne po avancojmë… asgjë nuk do të na ndalë”, përderisa u zotua se do të shkatërrojë Hamasin.

Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

Në të njëjtën kohë, administrata Biden kërkoi që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.

Mbi 3.700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftimeve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë buzë kolapsit.

Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gazë, por sipas punëtorëve të ndihmës kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë refuzuar që të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, duke thënë se Hamasi do të përdorte karburantet për përdorime ushtarake.

Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk po kërkon një armëpushim të përgjithshëm, por një “pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar”.

Izraeli dhe SHBA-ja duket se nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë më pas nëse Hamasi – që udhëheq Gazën – do të mposhtet. Kjo do të jetë një pyetje kyçe në agjendën e Blinkenit gjatë kësaj vizite, tha DASH-i.

Më herët gjatë javës, Blinkeni ka sugjeruar që Autoriteti Palestinez të qeverisë me Gazën. Hamasi e kishte larguar nga pushteti Autoritetin Palestinez më 2007, kur mori kontrollin e territorit. Autoriteti Palestinez tani ka fuqi të kufizuara në disa pjesë në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Zyrtarët ushtarakë dhe forcat izraelite tani kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, një zonë e banuar që Izraeli ka thënë se është qendër e infrastrukturës ushtarake të Hamasit, ku përfshihet edhe rrjeti i gjerë i tuneleve nëntokësore, bunkerëve dhe qendra komanduese.



Skip to toolbar