Boçi qetëson militantët: Nuk i kemi dorëzuar armët, do e rrëzojmë Ramën

AKTUALITET


Partia Demokratike është tërhequr nga protestat por jo nga përpjekja e saj për të rrëzuar Ramën. Ish deputeti Luçiano Boçi ka deklaruar se “opozita nuk i ka dorëzuar armët, por është në betejë për rrëzimin e Ramës”, megjithëse nuk ka dhënë detaje se cili do të jetë plani i ri që do të ndjekë PD për rrëzimin e kryeministrit.

“Nuk mund të eklipsohet fakti i forcës së opozitës në realizimin e një aventure politike, siç ishte 30 qershori, i cili nuk ishte proces zgjedhor, por votues. Të mos ketë iluzione, nuk i kemi dorëzuar armët. Opozita është këtu, është në betejë, opozita është në luftën e saj që vazhdon në forma të tjera. Nuk kemi dorëzuar as më të voglën armë dhe vazhdojmë betejën tonë me synimin kryesor: largimi i Ramës dhe zgjedhjet e parakohshme”, tha Luçiano Boçi në një intervistë për A2CNN.

Së fundi kreu i PD-së ka nisur një tur takimesh në strukturat e PD-së në rrethe, tur që është parë më së shumti si një fushatë e Bashës brenda PD-së për të shuar zërat kundër tij, tani që pas zgjedhjeve të 30 qershorit ka mbetur pa asnjë pushtet. Edhe deklarata e Boçit duket se vjen në po të njejtën linjë me përpjekjen e Bashës. Një thirrje për të mbajtur të karikuar militantët e PD-së që të vazhdojnë të shpresojnë se Basha do rrëzojë Ramën. Megjithëse ende nuk ka një plan të qartë për hapat që do të hedhë në vijim.

Kohët e fundit brenda PD-së, janë shtuar zërat kundër Bashës dhe vendimeve të tij për të djegur mandatet apo për të bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit. Pas Topallit dhe Arben Imamit në studion e Realstory të Sokol Ballës, edhe Arben Ristani tha se Rama tashmë largohet vetëm me zgjedhje, ndryshe nga sa thotë Basha që kërkon zgjedhje të parakohshme pa Ramën kryeministër./Realstory.al

  



Skip to toolbar