Dorëheqja e Valdrin Pjetrit nga posti i kryebashkiakut të Shkodrës shihet si një tjetër fitore nga demokratët, të cilët nxorrën në pah dokumentet që sipas tyre Pjetri ka qenë i dënuar në Itali dhe këtë fakt e ka fshehur në vetëdeklarimin e tij.
Madje Gerdi Bogdani i PD-së, mendon se rasti i Pjetrit ka hapur një shteg për t’i zgjidhje krizës në vende, por PD i ka sytë te Rama. Pasi ata presin që Rama të japë dorëheqjen dhe më pas të zhvillohen zgjedhjet të parakohshme, ndërkohë që as që bëhet fjalë që PD të mendojë për të marrë pjesë në zgjedhje të pjesshme vendore në Shkodër.
“Është fitore në radhë të parë sepse Bashkinë e Shkodrës nuk mund ta marrë dikush që nuk është zgjedhur me votën e shkodraneve, sepse ai 6 % ishte një shuplake tronditëse për kryeministrin Rama, duke dëshmuar që me 30 qershor nuk ka patur zgjedhje, siç kemi thënë gjithmonë. Së dyti është një fitore në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, sepse Pjetri është personi i radhës që dorëhiqet si Elvis Roshi, Arben Ndoka etj. Por është edhe një humbje për shoqërinë shqiptare, sepse kryeministri vazhdon të kandidojë persona me precedentë penal edhe pse vetë votonte, vetë numëronte”, deklaroi Bogdani i ftuar në A2 news.
Zërave që thonë që PD-ja nuk duhet të lej Shkodrën pa përfaqësim, Bogdani i përgjigjet se “ne do të vazhdojmë asaj që i kemi qëndruar deri sot, nuk mund të ketë garë përballë një personi me rekorde kriminale, që ka bërë lekë me para të pista, duhen kushte për zgjedhje të ndershme. Nuk bëhet fjalë vetëm për Shkodrën as për bashkitë e tjera, por për të drejtën e votës të qytetarëve shqiptarë”.
Por ndërkohë, ai beson se mund të ketë zhvillime në krizën politike në vend. “Rasti i Pjetrit nuk thellon krizën, por hap një hendek për ta zgjidhur, sepse vërteton faktin që në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza duhet zgjidhur dhe është zoti Rama që duhet të bej hapa mbrapa tani”, thotë ai.
Pra edhe njëherë PD, pavarësisht dorëheqjes së Pjetrit dhe zhvillimeve të reja politike, vazhdon të mos ndryshojë qëndrim. Ajo vazhdon ende të kërkojë dorëheqjen e Ramës dhe më pas ngritjen e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve. Partia më e madhe në opozitë që pas 30 qershorit ka mbetur pa asnjë pushtet, nuk ofron asnjë zgjidhje për situatën por vazhdon të kërkojë largimin e kryeministrit. Rama e ka bërë të qartë se kjo kërkesë e PD-së as që që mund të diskutohet. Palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime krejt të kundërta. Ndoshta situata mund të gjejë zgjidhje vetëm në shtator me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve në 30 qershor dhe do të thotë fjalën e fundit nëse zgjedhjet njihen apo nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, sikurse pretendon opozita.