Rrallëherë në botë të drejtat e grave dhe vajzave janë sfiduar në një mënyrë kaq shqetësuese sa në Afganistan. BE-ja e ka bërë të qartë se ndihma e ardhshme e BE-së për zhvillim do të varet nga respektimi i normave për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave dhe vajzave. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë gratë dhe vajzat në mbarë botën, duke iu përmbajtur vlerave dhe besimeve tona.
Të drejtat e njeriut, liria dhe demokracia, si dhe barazia, përfaqësojnë vlerat thelbësore që e bëjnë Bashkimin Europian atë që është. Ato pasurojnë shoqëritë tona dhe forcojnë qëndrueshmërinë. Barazia gjinore është çelësi për paqen, sigurinë, përparimin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Kjo është arsyeja pse puna në të gjitha nivelet për të nxitur dhe ruajtur progresin në barazinë gjinore është një përparësi politike dhe objektiv për BE-në. Plani i Veprimit Gjinor III i BE-së dhe buxheti i ri i veprimit të jashtëm të BE-së ofrojnë një udhërrëfyes për veprim global drejt një bote të barabartë gjinore. Ne punojmë ngushtësisht së bashku me partnerë shumëpalësh, rajonalë dhe dypalësh, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, për t’i arritur këto objektiva. Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë; nuk ka vend për vetëkënaqësi.
Në shumë vende, pandemia ka përkeqësuar pabarazitë ekzistuese gjinore në fusha të ndryshme: arsimi, trajnimi profesional, shëndeti, siguria dhe mbrojtja, shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, si dhe mundësitë ekonomike. Për më tepër, mbylljet nga COVID-19 shpesh kanë çuar në një rritje të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht dhunës në familje. Në të njëjtën kohë, një pjesë e madhe e barrës së kujdesit ka rënë mbi gratë dhe vajzat. Punëtorët në ekonominë informale dhe në punët me kualifikim të ulët (shumica prej të cilëve janë gra), migrantët dhe ata që u përkasin pakicave, kanë qenë më të rrezikuar dhe përballen me forma të shumta dhe të ndërthurura të diskriminimit.
Për më tepër, mbyllja e shkollave i ka ekspozuar vajzat ndaj një rreziku të shtuar të hfrytëzimit seksual, shtatzënive të hershme, punës së fëmijëve dhe martesave të detyruara. Fondi “Malala” vlerëson se 20 milionë vajza më shumë rrezikojnë të braktisin shkollën, duke iu shtuar një totali prej 150 milionë vajzash – ekuivalent me një të tretën e popullsisë së BE-së – pa perspektivë arsimore.
Sipas një raporti të fundit të OKB-së, shpenzimet ushtarake në vitin 2020 përsëri i kalonin shpenzimet në mbarë botën për shëndetin, madje edhe në një vit të dominuar nga pandemia e koronës. Për një ripërtëritje të qëndrueshme nga pandemia COVID-19, ne duhet t’i dyfishojmë përpjekjet tona për të nxitur barazinë gjinore.
Tani është koha për të bërë më shumë. Kjo sfidë tani kërkon një përgjigje globale, ndërsa po ndërtojmë të ardhmen, në të cilën dëshirojmë që të rriten fëmijët dhe nipërit tanë në një botë postpandemike, që është më e barabartë, më e larmishme dhe ku mundësitë e barabarta janë realitet. Ne duhet të trajtojmë shkaqet kryesore të pabarazisë gjinore dhe diskriminimit në mënyrë që të arrijmë ndryshime të qëndrueshme.
Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare të tij, si dhe institucionet financiare europiane, kanë qëndruar përkrah grave dhe vajzave të botës gjatë gjithë pandemisë. Si “Ekipi Europa”, ne kemi mobilizuar tashmë 46 miliardë euro në mbështetje të mbi 130 vendeve partnere, me fokus të veçantë te gratë dhe të rinjtë.
Tre shembuj për ilustrim: në Nepal, ne ndihmuam një milion vajza dhe djem të vazhdojnë arsimimin e tyre nëpërmjet të mësuarit përmes radios. Në Togo, ne mbështetëm krijimin e një skeme universale të ardhurash dhe emërimin e grave në krye të bashkive të reja. Në mbarë botën, nisma “Spotlight” BE-OKB ka ndihmuar 650.000 gra dhe vajza që të parandalojnë apo trajtojnë dhunën ndaj tyre, si dhe ka edukuar 880.000 burra dhe djem mbi maskulinitetin pozitiv, zgjidhjen jo të dhunshme të konflikteve dhe prindërimin.
Megjithatë, për të përballuar sfidat në rritje, ne duhet të bëjmë më shumë. Ky është qëllimi i Planit të Veprimit Gjinor III. Ai promovon udhëheqjen dhe pjesëmarrjen kuptimplotë të grave, vajzave dhe të rinjve në jetën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, si dhe në të gjitha çështjet që lidhen me paqen dhe sigurinë.
Ne punojmë për ta rikthyer zhvillimin njerëzor në rrugën e duhur
Tani po e bëjmë realitet këtë plan me ndihmën e instrumentit të ri “NDICI-Global Europe” prej 79.5 miliardë eurosh, që do të mbështesë veprimin e jashtëm të BE-së për shtatë vitet e ardhshme.
Mbështetja për arsimin dhe veçanërisht arsimin e vajzave, do të ketë një rol qendror. Ashtu siç mbështesim arsimin në emergjenca, BE-ja ka punuar me vendet partnere gjatë gjithë pandemisë për të minimizuar ndikimin e saj te fëmijët, si dhe për të lehtësuar kthimin e sigurt në shkollë.
Ne tashmë ofrojmë më shumë se gjysmën e të gjithë ndihmës globale për arsimin si “Ekipi Europa”. Ne do ta rrisim më tej financimin, për të nxitur barazinë gjinore përmes arsimit cilësor në të gjitha nivelet. Premtimi ynë i përbashkët prej 1.7 miliardë eurosh për “Partneritetin Global për Arsimin” në korrik – për ta shndërruar arsimin për vajzat dhe djemtë në deri në 90 vende dhe territore – është pjesë e këtij fillimi të ri.
Ne po i shumëfishojmë përpjekjet tona, që nga mbështetja e arsimimit dhe mundësive ekonomike për gratë dhe vajzat deri te përmirësimi i qasjes së tyre në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Deri në vitin 2025, 85% e të gjitha veprimeve të reja të jashtme të BE-së – në të gjithë sektorët – do të kontribuojnë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
Kjo tani po finalizohet me vendet tona partnere, bazuar në konsultime të ngushta me organizatat e shoqërisë civile, aktivistët për të drejtat e grave dhe të rinjtë.
Ne duhet ta rikthejmë zhvillimin njerëzor në rrugën e duhur dhe të arrijmë “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm” deri në vitin 2030, duke mos lënë askënd pas.
Është e rëndësishme që ta kuptojmë mirë këtë.
*Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BEsë për Punët e Jashtme dhe Sigurinë/ Zëvendës President i Komisionit Europian *Jutta Urpilainen, Komisionere për Partneritetin Ndërkombëtar Ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit të 24 vendeve anëtare të BE-së.