Bozdo sqaron 13 tetorin e Metës që u mbështet nga Basha: Zgjedhje, vetëm pa Ramën

AKTUALITET


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi për herë të parë të martën pas një takimi me presidentin Meta se e sheh dekretin e tij për zgjedhje në 13 tetor një mundësi e mirë për të zgjidhur krizën në vend.

Por të enjten Enno Bozdo, anëtari i kryesisë së PD-së, sqaroi se Basha nuk e kishte fjalën se mbështet datën 13 tetor, por përpjekjen e presidentin për të arritur standardet. Ndryshe nga Basha i cili nuk e përmendi fare sloganin “zgjedhje pa Ramën kryeministër”, Bozdo e theksoi se PD nuk bën zgjedhje pa u larguar Rama.

“13 tetori, është datë po jo standard, jemi dakord me çdo datë që plotëson standardin. Këtë kërkesë e kemi shpallur që në protestën e 16 shkurtit. Pas 30 qershorit, justifikimi pse demokratët kërkojnë si kusht largimin e Ramës është më i fortë se kurrë. Ne do të shkojmë në zgjedhje nëse plotësohen kushtet. Pra për ne nuk ka rëndësi data por plotësimi i kushteve”, tha Bozdo ndërsa theksoi dhe njëherë se kushtet e PD-së, janë largimi i Ramës nga një qeveri tranzitore për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Bozdo gjithashtu tha se PD do të vazhdojë të bëjë çdo gjë për të rrëzuar Ramën por pa zbardhur se cili do të jetë plani i ri i PD-së.

Deklarata e Bashës tre ditë më parë kur doli në mbështetje të propozimit të Metës për zgjedhje në 13 tetor, u pa si një tërheqje e tij nga kushti për largimin e Ramës.



Skip to toolbar