PD: S’ka protesta se është vapë (apo s’i dëgjon njeri?)

AKTUALITET


Partia Demokratike po bëhet gati për zgjedhje të parakohshme. Kështu ka deklaruar të hënën ish deputeti Enno Bozdo në një intervistë për A2cnn, ndërsa ka thënë se gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë më protesta, ndryshe nga sa ka deklaruar Basha më herët.

Sipas Bozdos për shkak të vapës PD nuk do të organizojë protesta por do të përqëndrohet tek organizimi i strukturave të saj për të qenë gati për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.


 “Kemi ndërmarrë disa hapa në pritshmëritë që kemi për zgjedhjet e parakohshme, mundësisht brenda këtij viti. Duhet të mbyllim të gjithë pjesën organizative në mënyrë që sapo të shpallet data e zgjedhjeve, partia të jetë gati me strukturën dhe infrastrukturën e saj”, tha Bozdo.

Kur u pyet nëse në javët në vijim do të ketë protesta të tjera të opozitës së bashkuar, Bozdo deklaroi se kjo periudhë nuk është e përshtatshme për protesta.

“Nuk do të ketë protesta tani, pasi klima e nxehtë, stina e pushimeve dhe vëmendja e larguar e publikut e bëjnë jo të efektshme organizimin e protestave. Kjo është koha për të punuar për strukturën në mënyrë që shtatori të na gjejë gati”, theksoi Bozdo.

Kujtojmë se në mbledhjen e fundit të kryesisë së Partisë Demokratike kryetari i Demokratëve Lulzim Basha, u ka thënë të vetëve se forca e tyre politike nuk është gati të hyjë në zgjedhje të parakohshme.

Basha në komunikimin me ‘kupolën’ politike të partisë ka shprehur se PD nuk është gati për një garë zgjedhore, pavarësisht shqetësimeve, të ligjshme nëse ke parasysh përgjimet e BILD se në Shqipëri nuk ka garë të ndershme.

Basha ka theksuar në këtë mbledhje se edhe nëse Rama ofron zgjedhjet më 13 tetor (datë e dekretuar nga Meta për të zhvilluar 3 palë zgjedhje), partia nuk është gati. Kjo deklaratë e Bashës është bërë në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë së Partisë Demokratike dhe pas deklaratave të Bozdos kuptohet se PD ka nisur punën për të organizuar strukturat për të qenë gati në rast se zhvillohen zgjedhjeve të parakohshme.

Fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit Basha ka nisur një tur takimesh në strukturat e PD në rrethe që më së shumti është parë si një fushatë që kreu i PD-së ka ndërmarrë për të rikonfirmuar veten e tij në krye të partisë, të cilën e la pa asnjë pushtet, duke djegur mandatet e deputetëve dhe duke refuzuar të futej në garën e 30 qershorit.




Skip to toolbar