Përplasja në Vlorë, vdes pronari i lokalit, shoqërohen 20 veta

AKTUALITET


Ka ndërruar jetë në spital pronari i lokalit në Vlorë, Arben Beqiraj i cili u qëllua me armë në lokalin e tij gjatë të dielës në një breshëri plumbash ku mbetën të plasur djali dhe nipi i tij.

Arben Beqiraj u plagos në lokalin e tij pasi dy persona të cilët janë identifikuar nga polica dhe janë vënë në kërkim, hapën zjarr me armë, në zonën e plazhit të vjetër. Bashkë me të u plagosën edhe Egert Beqiraj dhe Nesim Hodaj të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Viktima ka ndërruar jetë rreth orës 01:00 pas mesnate në spitalin e Vlorës. Ai kishte në trup 6 plumba, në pjesën e barkut, në duar dhe në këmbë. Një prej plumbave e ka kapur Arben Beqirajn në pjesën e kraharorit duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Kjo ka bërë që ai të humbasë jetën.

Dy autorët e identifikuar, me iniciale SH.L dhe E.XH janë konfliktuar fillimisht me fjalë me pronarin e lokalit, ndërsa më pas janë përdorur grushtet nga të dyja palët.

Pas konfliktit fizik dy autorët kanë shkuar tek makinat e tyre të parkuara jashtë lokalit nga ku kanë marrë një kallashnikov dhe një pistoletë me të cilat kanë qëlluar drejt Beqirajt, djalit dhe nipit të tij.

Dy persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje janë larguar në drejtim të Pyllit të Sodës. Policia bën të ditur se po punohet për kapjen e dy autorëve nga policia e Vlorës dhe FNSH-ja e Fierit. Ndërkohë janë shoqëruar rreth 20 persona të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.



Skip to toolbar