Bubqi, Basha, Braçe: Hajde brenda se nuk të hamë

POLITIKË


Rastësia ka bërë bashkë në fshatin Bubq kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe zëvendëskryeministrin Erion Braçe. Ato kanë qenë për vizitë tek familjet e prekura nga tërmeti, shumë pranë njëri-tjetrit, por nuk janë takuar apo përshëndetur mes tyre. Këtë e bëri të ditur vetë zëvendëskryeministri Braçe, i cili me një postim në Instagram, i bëri thirrje Bashës të vijë e të takojë banorët se “nuk e hanë”  dhe takimin të mos e quante bashkëpunim me qeverinw, por thjeshtë informim me qytetarët.

“Po hajde brenda ooo njeri, hajde! Nuk të ha e nuk të hamë. Nuk të quhet as bashkëpunim, thjesht komunikim, informim! Të hysh te dera e të kthehesh nga rruga për kaq, në këtë situatë, nuk bën!

Tani sa për ta ditur, Në Bubq, çdo familje që ka shtëpinë të goditur rëndë dhe të pabanueshme, ka marrë paketën e plotë të ndihmës, nga çadra tek ushqimet. Po çojmë dhe ilaçet te të sëmurët kronikë. Ndërkohë, grupet e eksperteve po bëjnë verifikimet shtëpi më shtëpi dhe kanë mbyllur tre fshatra të mëdhenj deri tani. Shpresoj të të vlejë!”, shkruan Braçe.

Edhe vetë kreu i PD-së, Basha ka postuar në facebook takimin që zhvilloi me disa nga banorët e Bubqit duke falenderuar të gjithë të rinjtë dhe vullnetarët që po ndihmojnë njerëzit e prekur nga tërmeti.

Mirënjohje e thellë për të rinjtë dhe të rejat që prej ditësh po ndihmojnë banorët e Bubqit. Ata kanë ngritur një kuzhinë dhe gatuajnë drekë dhe darkë për banorët e dëmtuar nga tërmeti dhe një sistem shpërndarje bashkë me veshje dhe ilaçe për familjet në këtë zonë. Mirënjohje nga zemra për të gjithë ata që kontribuojnë sipas mundësive që së bashku si një familje e madhe duke ndihmuar njëri-tjetrin të lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjen e njerëzve në emergjencë” , shkruan Basha.



Skip to toolbar