“Burgu për burrat është”, Salianji: I privilegjuar…

AKTUALITET


Ish deputeti demokrat, Ervin Salianji, për të cilin prokuroria ka kërkuar dënimin me 1.6 vite burg për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen “Babale”, është shprehur se ndihet i privilegjuar që po sulmohet politikisht, sipas tij, pa pasur prova.

I ftuar në A2news, ish-deputeti i PD, u shpreh se nuk ka asnjë provë deri tani, por vetëm fjalë për pretencën e Prokurorisë. Ai thotë që ndjehet i privilegjuar që është ai targeti në këtë situatë.

“Ndjehem po njësoj, pasi përveç fjalëve nuk ka fare prova. Ndjehem edhe më i vlerësuar pasi jam targetuar unë në të gjithë këtë situatë apo në këtë korrupsion të Shqipërisë në 30 vite, ku zgjidhet një politikan, i cili denoncon dhe padiskutim që përmend dhe turbullon ujëra me emër dhe me mbiemër dhe me fakte konkrete.

Në këtë kuptim nuk kam asnjë kompleks që ta them ndjehem i privilegjuar. Nesër dhe pasnesër, unë do të paraqes edhe prova të tjera shkencore, që prokuroria i ka devijuar qëllimshëm. Kam qenë deri vonë dje duke punuar në provat e reja.

Nuk ka asnjë sekret që dëshmitari është i sajuar dhe për këtë do të tregoja prova të tjera. Alizoti është e vetmja provë e Prokurorisë, e cila është e kontestueshme ose e pabesueshme sepse nuk kam sesi t’i premtoj unë 200 mijë euro një njeriu që s’e kam takuar asnjëherë. Qelizat telefonike vërtetojnë se Babalja dhe Agron Xhafaj kanë qenë në të njëjtin vend”, tha Salianji.

Sipas Salianjit, kjo është një çështje politike e sajuar, dhe nëse ai do të mendojë se nuk do të marrë drejtësi, atëherë thotë se do ta çojë deri në Strasburg.

“Unë mendoj se drejtësia do të vendosë të bëjë drejtësi dhe jo padrejtësi si ka bërë në 30 vite. Megjithatë, kjo është vetëm shkalla e parë e gjyqësorit, pasi ka Apel, ka Gjykatë të Lartë, ka Strasburg, prandaj jam shumë i qetë”, tha Salianji, i cili shtoi shprehjen më të njohur të shqiptarëve duke thënë se “burgu për burrat është”.



Skip to toolbar