Deputeti i PS, Ditmir Bushati, ish ministër i Jashtëm deklaroi në studion e Real Story se vendosi të flasë me kritika për mazhorancën dhe të ngrejë zërin për ndryshimet që ka kërkuar, pasi ai iku si ministër, pasi më herët ka qenë i angazhuar me detyrat diplomatike dhe tashmë funksioni i deputetit është më favorizues. I pyetur nga gazetari Sokol Balla, ish ministri ka argumentuar se shumë prej këtyre çështjeve i ka ngritur edhe brenda partisë para se të ikte nga funksioni i ministrit.
“Kur isha ministër, kam qenë i angazhuar me detyrat që kisha si ministër, pozicioni i deputetit të jep më shumë mundësi për të debatuar për temat e diskutuara. Por për të sqaruar opinionin publik mbi qëndrimet e mia, unë i kam pasur qëndrimet brenda Partisë Socialiste. Bie fjala për në Shkodër, unë kam ngritur shqetësimet qëkur isha brenda partisë. Po kështu kam pasur diskutime identitetit të një familjeje socialdemokrate. Po ashtu kam diskutuar edhe për disa nga çështjet publike, si dekriminalizimi. Sa i përket kësaj çështje, dua të theksoj se si politikanë bëmë një pastrim në vitin 2017, por në vitin 2019 na u kthye ky model”, deklaroi Bushati.
Duke treguar sesi ai e sheh PS-në, ka shpalosur edhe disa ide për partinë e tij. “E para, ka ardhur koha më shumë peshë për socialistin brenda partisë sonë. Po ashtu për komunitetin dhe të vendosim në funksion garën brenda partisë”, tha Bushati, pasi sipas tij, sa më shumë të zgjerohet baza e vendimmarrjes, aq më mirë do jetë për PS dhe për komunitetin”, tha ish-ministri.