“Kemi rënie të sistemit”, Lubonja: Vendi ka ecur në regres

POLITIKË


Analisti Fatos Lubonja por edhe Arian Vasjari thanë se vendi ka bërë regres në çdo drejtim të tij demokratik dhe se ndodhet në një realitet mizerabël. Në studion e emisionit “Real Story”, Fatos Lubonja tha se sistemi nuk ka rënë por është ngritur mbrapsht dhe se me këtë regres që ka pësuar Shqipëria nuk ka vend në Europë. Ndërsa për analistin Arjan Vasjari sistemi në Shqipëri ka rënë pasi si politika ashtu dhe institucionet janë në një gjendje të tmerrshme ose inekzistente. Mendimet e analistëve patën një përplasje me atë të ish ministrit të jashtëm Ditmir Bushati, i cili tha se sistemi nuk ka rënë pasi ka parur një trajektore pozitive rritje nga njëra anë por që është shoqëruar me efekte anësore.

“Shqipëria është problem për të dyja Europat, si atë të Sistemi dhe atë të anti-sistemit që po rritet gjithnjë e më shumë brenda BE. Unë nuk mendoj që ne na ka rënë sistemi, por se ne kemi ngritur një sistem të mbrapshtë. Unë mendoj se Bushati foli pak me gjuhë të ashpër ndaj opozitës. Rama kur mori pushtetin e largoi fare opozitën. Edhe unë kam qenë kundër që opozita të djegë mandatet, por kjo opozitë ka pasur arsye reale. Këtu kemi një ide shqiptare, që unë kur marr pushtetin, kontrolloj gjithçka, edhe Edi Rama funksionon njësoj, edhe njerëzit i kam me vete sepse “opozita janë dele”. PS për mua është kapur nga krimi, sepse janë fuqi ekonomike. Në Shqipëri ka regres si në demokraci, si brenda partive. Në parti nuk ka zëra kundër. Regresi ka qenë proces.” tha Lubonja


Ndërsa Arian Vasjari tha se Pakti Kombëtar është një ide shumë e mirë por tepër vonë për ta realizuar. Vasjari tha se nëse institucionet kryesore të drejtësisë nuk ekzistojnë si Gjykata Kushtetuese apo ajo e Lartë, atëherë sistemi ka rënë.

“Europa nuk merret se kush e ka fajin. Europa bën një skaner të situatës dhe del në përfundimin që ky nuk është një vend normal. Pakti Kombëtar është një ide shumë e mirë dhe një gjë shumë pozitive, por kam frikë se tani jemi shumë vonë. Ne kemi një rënie të sistemit, pasi nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të lartë. Sot kemi një realitet politik mizerabël, një tmerr. Nuk mund të shkojmë t’i themi Europës pse s’na pranon.” tha Vasjari.

Ndërsa për Bushatin Shqipëria ka bërë hapa para, sidomos me Reformën në Drejtësi por është shoqëruar me efekte anësore.

“Nuk mund të themi që sistemi ka rënë , pasi kemi një trajektore pozitive në rritje nga një anë por e shoqëruar me këto efektet anësore të bllokimit të Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese. Sado probleme të kemi Shqipëria ka bërë hapa para.” tha Bushati




Skip to toolbar