Nga Carlo Bollino
Duke pritur të IK RAMA, po ikën 30 qershori. Etapa e parë themelore e betejës totale të ndërmarrë nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha kundër qeverisë së Edi Ramës, tashmë humbi. Sido që të shkojnë punët të dielën, premtimi që në 30 qershor nuk do të kishte zgjedhje doli se ishte gënjeshtra e radhës, me të cilën për shumë muaj me radhë Basha mobilizoi militantët e tij. Zgjedhje do të ketë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian i kanë njohur tashmë. Një gjest besimi ekstrem, që erdhi vetëm si përgjigje ndaj ultimatumeve pa logjikë dhe mungesës së sensit të Shtetit, që ka treguar deri tani opozita e bashkuar, e cila ka injoruar të gjitha thirrjet për arsye që u bënë nga komuniteti ndërkombëtar. Sfida ndaj ambasadorëve e kancelarive të huaja nuk i ka sjellë kurrë fitore askujt në Shqipëri. Një gabim ky, që Berisha e pagoi shumë kohë më parë, mbi të cilin tani rrëshqiti edhe Lulzim Basha, ndjekur këmba-këmbës nga Ilir Meta, të dy të bindur se mund të injorojnë vullnetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, sikurse vetëm Enver Hoxha bëri para tyre.
Tani Basha mban me dëshpërim shpresat tek raporti i OSBE/ODIHR-it, duke ushqyer iluzionin se vëzhguesit ndërkombëtare do të mund të kritikojnë procedurat zgjedhore dhe t’i konsiderojnë si të pavlefshme zgjedhjet. Nuk ka dyshim se kjo është një sfidë e rëndësishme për Edi Ramën, i cili, me një rezultat ku nuk mund të humbasë asgjë, sidoqoftë duhet të fitojë standardet. Por sfida ka të bëjë edhe me Bashën, pasi gjykimi i vëzhguesve ndërkombëtarë do të lidhet edhe me sjelljen e opozitës dhe të militantëve të saj para, gjatë dhe pas ditës së votimeve, duke qenë tashmë e qartë, sikurse u ritheksua nga OSBE/ODIHR-i dhe SHBA, se nuk ka asnjë dallim mes atij që nxit dhunën, me atë që e ushtron atë. Pra, Basha duhet të shmangë rrezikun paradoksal se mund të pësojë një dënim të ri ndërkombëtar, edhe për ato që mund të ndodhin në zgjedhje ku nuk merr pjesë.
Pasi ka humbur betejën kryesore, tani për Bashën nis pas-30 qershori, dhe për të parashikohen probleme edhe më të rënda. Në fakt, lideri i PD-së nuk do të ketë të bëjë vetëm me realitetin e vështirë të një partie opozitare që nuk ka më asnjë zë në Kuvend, por do të përballet edhe me situatën, edhe më të vështirë, të një force politike, e cila nuk ka asnjë përfaqësim as edhe në një bashki të vetme të vendit dhe në asnjë prej qindra enteve publike të lidhura me bashkitë. Deri tani Partia Demokratike kishte kontrollin e 15 bashkive, LSI te 7 dhe PDIU te 1 bashkie. Çdo bashki ka ne vartësi dhjetëra ndërmarrje dhe aktivitete te ndryshme (nga çerdhet e shkollat, deri te gjelbërimi, nga leje ndërtimi te policia bashkiake, nga menaxhimi i mbetjeve, deri te tenderët e ndryshëm, etj. etj.). Pra firmat private, miliona e miliona euro dhe dhjetëra mijëra militantë, që kanë jetuar në qarkun magjik të krijuar përreth kryetarëve të bashkive, tani do të rrezikohen të mbeten rrugëve. Ata burra dhe ato gra, të cilët kanë qenë një limfë e fuqishme për protestat në shesh muajt e fundit, tani ndoshta do të zgjidhnin të distancoheshin nga një parti, që nuk ka ditur të mbajë premtimet e saj. Në çdo rast të gjitha ato burime do të kalojnë në varësi të 23 krybashkiakëve socialiste që kanë mundësi për të investuar në mbështetje të popullsisë edhe në ato që kanë qenë bastionet historike të opozitës, nga Shkodra në Berat, nga Kamza në Skrapar.
PD-ja (ashtu si dhe LSI-ja) janë vetëpërjashtuar përfundimisht nga të gjitha institucionet shtetërore, duke dënuar me këtë izolim edhe mbështetësit e tyre. Sinjalet e para të kritikave ndaj Bashës nga radhët e PD-së kanë filluar që tani (publikisht dhe jo publikisht), por rrezikojnë të bëhen shumë më të forta duke filluar nga dita e hënë, kur të gjithë do të zgjohen nga nata shumë e gjatë e 30 qershorit dhe do të kuptojnë përmasat e kataklizmës politike, që ka ndodhur në vend. Dhe do të jetë ky çasti, kur Lulzim Basha do të kuptojë se nuk ka përballë më vetëm qeverinë, me të cilën i ka prerë të gjitha urat, dhe as vetëm komunitetin ndërkombëtar, që pretendoi ta sfidojë dhe që kërcënon ta vendosë PD-në në black listë, por edhe një pjesë të mirë të ndjekësve të tij, të cilëve duhet t’u shpjegojë se për çfarë shërbyen sakrificat e bëra deri më sot, kur betejën e humbën dhe nuk u mbajt premtimi për të penguar zgjedhjet. Sakrifica mes të cilave përfshihet edhe një çarje brenda Partisë Demokratike që çoi në lindjen e Bindjes Demokratike dhe distancimin e figurave të rëndësishme si Rudina Hajdari, duke shënuar një krizë të rëndë të brendshme, gjë që kishte ndodhur vetëm pas revoltës së 1997.
Opozita ka të drejtë për shumë çështje të ngritura muajt e fundit. Qeveria ka qenë arrogante, korrupsioni nuk është luftuar siç duhet, reforma e drejtësisë është e ngadaltë, përgjimet zbulojnë kontakte shqetësuese mes politikës dhe kriminalitetit (por ky është një fenomen që ka të bëjë me gjithë politikën dhe një pjesë të mirë të shoqërisë, jo vetëm me Partinë Socialiste), sistemi elektoral ka nevojë për një reformë radikale, dhe mbase i gjithë sistemi i vendit ka nevojë për një reformë institucionale. Por asnjë prej këtyre arsyeve nuk mjafton të të japë fitoren, kur metoda e zgjedhur për të luftuar është e gabuar. Dhe, mbi të gjitha, kur betejën reformuese e drejtojnë të njëjtët lider politikë (Berisha, Basha, Meta), të cilët çdo herë që kanë qenë në pushtet i kanë bërë gjërat më keq akoma nga ato, çka i kontestojnë sot Edi Ramës. Në Partinë Demokratike ka figura të pastra, të cilat, edhe për shkak të faktit se nuk kanë qenë asnjëherë në qeveri, duhej të kishin të drejtën morale të flisnin, por zërat e tyre ende nuk janë dëgjuar sa duhet: ndoshta edhe ata mund të zgjedhin të rebelohen pas disfatës së fundit. Por ndërkohë deri tani kemi dëgjuar vetëm zërin e Lulzim Bashës, që artikulon mendimin e Sali Berishës, të dy të shtrënguar t’i kërkojnë ndihmë Ilir Metës, i cili ka treguar, për fat të keq, se ka mbetur kreu i vjetër i partisë, pa u bërë asnjëherë kreu i ri i shtetit
Në qoftë se të dielën (siç urojnë të gjithë) nuk do të ketë dhunë, duke filluar nga dita e hënë ky është skenari demoralizues që e pret Lulzim Bashën. Ndërkohë që, në rast se të dielën do të ketë akte dhune, për Lulzim Bashën ajo që vjen më pas do të jetë edhe më e keqe akoma.