Numri “makth” i Ramës

AKTUALITET


Nga Eduard Zaloshnja

Në kushtet kur gara se kush do të administrojë punët lokale në secilën bashki është paraktikisht e parashikueshme (në 61 bashkitë do të fitojnë socialistët përballë kandidatëve të pavarur apo të BD-së), e vetmja pikëpyetje është politike. Konkretisht, pyetja është nëse do të kenë kandidatët e Ramës në nesër të njëjtën përkrahje që patën kandidatët e tij në zgjedhjet e 2017-ës?


Parvjet kandidatët për deputetë të Ramës morën 765 mijë vota në zgjedhje. Kështuqë nesër, nëse kandidatët e tij për kryebashkiakë marrin përsëri rreth 765 mijë vota (nën vëzhgimin e shtuar të ndërkombëtarëve), Rama mund të pretendojë se mbështetja politike për të mbetet e njëjtë, pavarsisht nga sulmet e vazhdueshme të opozitës dhe opinionistëve kritikë ndaj tij. (Se sa nga 41-përqindëshi i zgjedhësve që jetojnë jashtë Shqipërisë, e sa nga votuesit gri apo blu do ta marrin mundimin të votojë nesër, nuk ka rëndësi politike për Ramën.)

Por rruga deri tek numri magjik 765 mund të jetë e vështirë për dy arsye.

Vapa

Edhe në qoftë se dita e nesërme do të jetë relativisht e qetë (vetëm me incidente të vogla aty-këtu), armiku kryesor i Ramës do të jetë vapa e pritshme. Përvoja na tregon se shqiptarët u turren në mënyrë masive plazheve në fund të qershorit, sidomos të djelave të nxehta.

Në kushtet kur gara ka qenë e fortë dhe e paparashikueshme në zgjedhje, një masë e madhe votuesish e kanë sakrifikuar vajtjen në palzh, për të kontribuar me votë për partinë/kandidatin e tyre të preferuar (në zgjedhjet e 2015-ës dhe 2017-ës kanë votuar 1.6 milionë shqiptarë, ose rreth 75% e zgjedhësve me banim në Shqipëri).

Por nesër, praktikisht, nuk do të ketë garë. Në këto kushte, është e vështirë të motivohen votuesit që ta lënë plazhin, vetëm për të dhënë një mesazh përkrahje politike për Ramën. Kandidatët e tij, sidoqoftë, do të fitojnë në të 61 bashkitë.

Incidentet e mundshme

Ditët e fundit ka patur incidente të dhunshme në disa zona zgjedhore, megjithë paralajmërimet e forta të kacelerive perëndimore, e sidomos të Uashingtonit.

Në qoftë se incidentet vazhdojnë edhe nesër, duke sfiduar të drejtën e zgjedhësve socialistë për të votuar, këta të fundit mund të jenë të motivuar për të lënë çdo punë apo qejf, në mënyrë që të votojnë. Por një pjesë e tyre, sidomos në qytete të mëdha, mund t’i druhen rrezikut që vjen nga përplasjet fizike me të fortët e lagjeve. (Në fshatra dhe qytete të vogla ky rrezik është më i vogël, sepse të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe do të vazhdojnë të jetojnë prapë aty të nesërmen e zgjedhjeve…)

Konkluzion

Edhe në qoftë se 765 mijë zgjedhës janë të prirur të votojnë për kandidatët e Ramës në 30 qershor (për të demonstruar përkrahjen ndaj partisë së tij), ai do ta ketë vështirë ta arrijë këtë numër magjik. Në rastin e zhvillimit të qetë të zgjedhjeve, kundërshtar do të ketë vapën. Në rastin e zhvillimit me incidente të dhunshme, kundërshtar do të ketë frikën e një pjese të votuesve të thjeshtë nga këto incidente.




Skip to toolbar