Çela: Kemi qenë të ashpër me të dobëtit. Ky vizion e nxit kriminalitetin

AKTUALITET


Kandidati i tretë për postin e kryeprokurorit, Olsian Çela tha para Këshillit të Lartë të Prokurorisë se ka rënë cilësia e hetimeve dhe se prokurori i përgjithshëm duhet të rrisë monitorimin e punës së prokurorive. Ai tha se shqetësuese mbetet politika penale që ka Shqipëria pasi nuk ka asnjë vizion tjetër përveç ashpërsimit të dënimeve. Çela tha se marrja e vendimeve ekstreme kryesisht cënon të dobëtit dhe deri tani nuk ka ndikuar në uljen e nivelit të kriminalitetit në vend.

“Pse kriminaliteti është në rritje? Pse nuk kanë efekt masat që ne marrim? Çdo gjë lidhet me problemet që ka prokuroria, policia gjyqësore. Por problemet shtrihen përtej. Shtrihen tek politikat penale. Keni dëgjuar se përveç ashpërsimit të dënimeve të kemi një politikë tjetër penale në Shqipëri? Jo. Këto masa dënimi të ashpra a na kanë dhënë rezultate të pritura. Këto masa ekstreme të dhëna vend e pa vend çfarë problemesh krijojnë? A mendojmë ne se ai njeri që merr dënimin ekstrem, si do jetojnë fëmijët e tij? Do dalin në rrugë. Do jenë nesër fidanishte krimi. Aplikimi i ligjeve penale cënon familjen. Ne kemi qenë të ashpër me shtresat e dobëta dhe me njerëzit e pambrojtur. Dhe duke marrë vendime të ashpra ne thellojmë problemet sociale. Prokuroria dhe policia gjyqësore duhet të ketë një vizion. Dhe vizioni i tyre nuk duhet të jetë aplikimi i ashpër i ligjit. Vizioni jonë duhet të jetë zbatimi i ligjit dhe dënimi i ashpër aty ku duhet. S’duhet të jemi ekstrem”, tha Çela.

Ai tha se shqetësues për të mbetet fakti se shumë prokurorë nuk dinë ta menaxhojnë siç duhet pavarësinë që i është dhënë dhe krijojnë probleme. Çela shpalosi disa piketa të vizionit të tij për rolin që duhet të luaj prokurori i përgjithshëm, ndërsa propozoi disa ide siç ishte edhe hartimi i një studimi të detajuar për mënyrën se si procedohet me buxhetin dhe të ardhurat.

“Prokuroria ndodhet në fazë transformimi të thellë. Ka probleme me rënien e cilësisë së hetimeve dhe pamjaftueshmërinë e burimeve njerëzore. Ka rënie të besimit te publikut në sistemin e drejtësisë. Ka mungese reale të pavarësisë së prokurorëve.

Konstatoj se shqetësim është që prokurorë të caktuar për shkak të lirisë që i jep ligji, duke pasur sensin e protagonizmit, nuk e menaxhojnë si duhet pavarësinë që i jep ligji dhe kjo krijon pasoja. Është e rëndësishme që prokuroria e përgjithshme të ushtrojë një monitorim konstat mbi punën e prokurorive të shkallës së parë. Prokurori të mbajë një sy hapur për çdo gjë që ndodh nga shkalla e parë deri te apeli dhe mekanizmat do të krijohen.

Nuk është bërë asnjë studim serioz. Këto para që buxheti i shtetit jep për prokurorinë, a mund të rialokohen? Si administrohen këto të ardhura? Si administrohen kapacitetet njerëzore. Duhet të ngrihen grupe pune me specialistë me qëllim që ne të arrijmë në rezultate konkrete. Ne të jemi të qartë në raport me parlamentin dhe qeverinë për atë që duam. Duhet të jemi detajistë dhe të bindin ekzekutivin që kërkesat tona janë të drejta dhe do të realizojmë atë që presin shqiptarët”, tha Çela.

Sipas tij roli i Prokurorit të përgjithshëm duhet të ndryshojë mënyrën e funksionimit të këtij institucioni.

“Objektivat e vendosur përmes mekanizmave që jep ligji, Prokurori i përgjithshëm do të ketë të drejtë të promovojë punën e çdo prokurori, dhe gjithashtu organizim efikase i zyrave të prokurorëve dhe rritja profesionale e prokuroreve dhe policisë gjyqësore në vitet e ardhshëm . Prokuroria e përgjithshme  të ndryshojë mënyrën e funksionimit të saj.

Prokuroria e përgjithshme duhet të ndryshoje në një strukturë dinamike e bashkëpunuese dhe ndërvepruese, e aftë të prodhojë ide për partnerët vendas dhe të huaj. Hapi i parë është ristrukturimi i pjesshëm i saj dhe të fokusohet në monitorimin e shkeljeve të ndryshme të etikes profesionale, sigurimin e aksesit të publikut dhe komunikim permanent me median.

Hartimi i raportit mbi gjendjen e burimeve njerëzore, ngarkesën në punë studimin mbi efektshmërinë e hetimit, efektet sociale në shoqëri dhe parandalimin e krimit. Koston reale të hetimit. Rregulla të qarta për formimin e grupeve hetimore. Bashkëpunim edhe me prokurorinë e posaçme me qëllim koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit, por duke vepruar në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra por edhe me koordinimin e autoriteteve të huaja.

Çdo vit mbledhje të prokurorëve si një asamble e tyre për shkëmbim idesh dhe komunikimi të problemeve mbi hetimin dhe ndjekjet penale”, tha kandidati për postin e kryeprokurorit.



Skip to toolbar