Olsian Çela në garë me platformë: sulmon Arta Markun dhe flet si “fitues”

#NËRADAR


Kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, Olsian Çela ishte i fundit nga kandidatët që doli përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të shpalosur platformën e tij për drejtimin e organit të akuzës. Çela foli “ashpër” ndaj vetes dhe kolegëve të tij, duke bërë një “mea culpa”, pasi sipas tij prokurorët janë treguar të ashpër ndaj të dobtëve duke krijuar probleme sociale në shoqëri.

Ndërkohë, një tjetër temë që ai u ndal ishte presioni politik mbi punën e kryeprokurorit dhe prokurorëve. I pyetur nga anëtarët e KLP-së çfarë mendimi kishte për ndikimin e politikës te puna e prokurorisë, Olsian Çela tha se tashmë prokurorët kanë dinjitet dhe pavarësi, për shkak të reformës në drejtësi dhe vettingut.


“Të jesh Prokuror i Përgjithshmë, do të thotë të jesh fytyra e organit që ti drejton. Ndryshimet ligjore, Reforma në Drejtësi, i kanë garantuar dinjitet prokurorit në punën e tij. Sot prokurori nuk ka nevojë t`i nënshtrohet sot politikës. Vettingu po i jep dinjitet prokurorit për të qenë i pavarur”, tha ndër të tjera Olsian Çela.

Gjithashtu, pavarësia e punës së prokurorit nuk është vetëm ajo nga politika, por dhe nga drejtuesi i institucionit ku bën pjesë. Olsian Çela u shpreh se në të shkuarën ka pasur përplasje në prokurori, kryesisht që lidhen me interpretimin e ligjit. Por me ndryshimet ligjore që solli reforma në drejtësi, prokurorët janë të pavarur në punën e tyre, edhe nga titullari institucionit ku punojnë.

“Ligji i ri i dha mundësi prokurorëve që të jenë vetvetja, mos fshihen më pas drejtuesit. Unë e shikoj thelbësore granatimin dhe ruajtjen e kësaj pavarësie. Ajo çfarë unë konstatoj me shqetësim është që prokurorë të caktuar për shkak të lirisë që i jep ligji, duke pasur dhe sensin  e protagonizmit nuk arrijnë ta menaxhojnë sa duhet këtë pavarësi që ligji i jep. Kjo prodhon pasoja”, tha Çela.

Përgjegjshmëria është një tjetër element i rëndësishëm i pavarësisë së punës së prokurorit, sipas Olsian Çelës. “Për të menaxhuar këtë situata është e rëndësishme që prokuroria e përgjithshme të monitorojë punën e prokurorive të shkallës së parë dhe apelit. Prokurori të mbajë një sy hapur për çdo gjë që ndodh. Mekanizmat për këtë do të ndërtohen. Prokurorët duhet të jenë të përgjegjshëm. Pavarësia dhe përgjegjshmëria shkojnë bashkë. Pavarësia nuk është liri ndaj ligjit, por është liria për të vendosur sipas bindjes së brendshme në përputhje me ligjin”, deklaroi Cela./Realstory.al/




Skip to toolbar