Celibashi apel qytetarëve: Kontrolloni mjetet e identifikimit për të votuar më 6 mars

Më të fundit


Komisioneri Shtetëror I Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi I ka bërë thirrje qytetarëve të 6 bashkive ku do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme për kryetar që të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumentit të identifikimit.

Nëpërmjet një njoftimi, ai paralajmëron qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë e Lushnje që të kontrollojnë nëse karta e tyre e identitetit ose pasaporta është e vlefshme dhe nuk ka skaduar deri më datën 6 mars, që është dhe dita ku do të zhvillohen zgjedhjet.


Celibashi thekson se nëse qytetarët që kanë kartat e identitetit ose pasaporta të skaduara në atë datë, skualifikohen nga e drejta për të zgjedhur.

Njoftimi i KQZ:

NJOFTIM
Tiranë më 26.01.2022

Celibashi apel qytetarëve – Kontrolloni vlefshmërinë e dokumentit tuaj të identifikimit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirijan Celibashi i bën apel qytetarëve të cilët kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet e pjesshme lokale që të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumenteve të tyre të identifikimit.

Të gjithë qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnje, të cilët gëzojnë të drejtën e votës, dhe/ose mbushin 18 vjeç në datën 6 Mars, nuk mund të votojnë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë së tyre nëse dokumenti i identifikimi (kartë identiteti/pasaportë) nuk është i vlefshëm në datën e zgjedhjeve.
Procesi i votimit nuk mund të kryhet pa një mjet identifikimi të vlefshëm në ditën e zgjedhjeve. Ndaj, Komisioneri Celibashi i bën thirrje qytetarëve, që nëse vlefshmëria e dokumentit të identifikimit ka skaduar apo skadon në datën 6 Mars, të mos e lënë për në momentin e fundit, por të drejtohen pranë zyrave të kompanisë “Aleat” për të aplikuar për rinovimin e tyre.

Të votosh është e drejtë por edhe përgjegjësi qytetare. Ndaj, sigurohuni që në ditën e votimit të keni dokumentin e identifikimit tuaj të vlefshëm




Skip to toolbar