Burgjet i kanë dhënë leje disa orë të dënuarit me 35 vite burg për vrasje të katërfishtë Kostandin Xhuvanit për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit, Gjergj Xhuvani, i cili u nda nga jeta pak ditë më herët në Itali Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pranuar kërkesën e të dënuarit që të lejohet të marrë pjesë në varrim, por që do të shoqërohet nën masa të rrepta sigurie për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ka si person.
Trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani ka mbërritur të martën në Tiranë dhe është pritur me lot e trishtim nga familjarët, miqtë e atë afërmit. Regjisori i njohur shqiptar u nda nga jeta më 14 gusht të këtij viti në Romë ku qëndroi për të mbyllur deri fund filmin e tij më të fundit “Liqeni im”, ndërsa varrimi i tij do të bëhet po të martën rreth orës 14:00. Që në kohën e njoftimit të vdekjes, i biri Kostandin Xhuvani, i cili po vuan dënimin në një burg të sigurisë së lartë, kishte kërkuar leje për të marrë pjesë në varrim. Por përgjigjja e burgjeve ishte mbajtur e fshehtë derisa në Shqipëri mbërriti trupi i pajetë i regjisorit shqiptar.
Kostandin Xhuvani është dënuar nga Krimet e Rënda me 35 vjet burg për vrasjen e 4 personave. Ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm, pasi gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar. Kostandin Xhuvani u arrestua mëngjesin e 4 nëntorit 2014 pranë Fakultetit Ekonomik, pasi kishte qëlluar me pistoletë Edison Jahon dhe Enea Xhajn, dy persona me të cilët kishte pasur konflikt të çastit si dhe mikun e tij Arbër Demirajn dhe shtetasin italian Gianpaolo Azzola që ishte klient i lokalit “Ante Grand” ku ndodhi krimi.
Ai u arrestua nga një polic pak metra larg lokalit të natës në rrugën e Elbasanit, në tentativë për t’u larguar. Bashkë me policin ndodhej edhe Enver Basha, një qytetar që duke udhëtuar me motoçikletën e tij, u përplas me Xhuvanin dhe mikun e tij Erald Sida, që po transportonin në makinë Arbër Demirajn që kishte vdekur. Në vitin 2011, Kostandin Xhuvani kishte kryer një tjetër vrasje.