Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, tha të martën në Prishtinë se Kosova meriton të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë përkrahjen e plotë për Kosovën në rrugën e saj përpara. “Mendoj se Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër që mund të anëtarësohet një shtet i pavarur. Unë kam qenë shumë i lumtur që pasardhësi im presidenti Bush njohu Kosovën dhe pavarësinë e saj. Në një mjedis të paqartë politik në Amerikë, Kosova duket të jetë e vetmja temë për të cilën pajtohen të gjithë amerikanët prandaj ju uroj sukses dhe besoj se vendi im do të vazhdojë të ju mbështesë në përparimin tuaj”, tha ish presidenti Clinton.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e dekoroi ish presidentin amerikan me “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.
Ish presidenti Clinton tha se mbarë bota mund të marrë Kosovën si shembull të demokracisë dhe përkushtimit për të përparuar dhe jetuar në paqe me fqinjët.
“Kjo është diçka për të cilën të gjitha shtetet duhet të punojnë brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj se ju e keni rastin të vendosni edhe një shembull të ri për botën edhe për njëzet vjetët e ardhshme. Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë president i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre”, tha ish presidenti amerikan.
Ish presidenti Clinton dhe ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në veprimtaritë me të cilat pritet të shënohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare dhe administrimit serb të Kosovës.
Roli i të dy zyrtarëve amerikanë vlerësohet vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s 20 vjet më parë dhe hapjen e rrugës për pavarësinë e Kosovës.
Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli pritën ish presidentin Clinton në aeroportin e Prishtinës.
“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqes dhe të stabilitetit në të gjithë rajonin. Mbështetja e palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën! Përjetësisht mirënjohës!”, shkroi në rrjetet sociale ish presidentja Jahjaga.
Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, shkroi se “Liria dhe Pavarësia jonë është e lidhur ngushtë me emrin e njeriut që sot po viziton Republikën tonë. Presidenti Klinton do të jetë i nderuar për jetë e mot nga Kosova”.