Historia e Alvin Berishës ka tronditur opinionin publik në Shqipëri dhe në Itali. 11 vjeçari shqiptar ndodhet në kampet e ISIS në Siri. Ai u dërgua atje nga nëna e tij Valbona Berisha me origjinë nga Durrësi.
Valbona Berisha është një vajzë nga Durrësi. Ajo jetonte me bashkëshortin, dy vajzat dhe djalin në Itali. Por një ditë papritur, pa i thënë asgjë bashkëshortit, Valbona merr Alvin, lë dy vajzat dhe ikën në Siri. Ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit 2014.
Kamerat e aeroportit kanë kapur momente të 37-vjeçares teksa pret linjën e saj për t’u nisur për në Turqi. Për t’u larguar më pas drejt Sirisë. Falë sinjalit GPS të telefonit është identifikuar vendodhja e parë në Al Babi, një nga zonat më të nxehta në atë kohë të luftës në Siri.
Në Siri, Valbona Berisha ka ndryshuar emër dhe është quajtur Yushra, është martuar me një xhihadist shqiptar me të cilin pati dhe një djalë tjetër. Lajmet e fundit mbi Valbona Berishën i jep biznesmeni kosovar Bedir Elezi, ish-luftëtar i luftës në Kosovë i impenjuar për të kthyer në shtëpi të gjithë fëmijët e gratë e ish-xhihadistëve nga Ballkani.
Sipas rrëfimeve të tij, të vërtetuara dhe nga gazetari italian Luigi Pelazza, Valbona Berisha humbi jetën së bashku me bashkëshortin xhihadist e djalin e tyre gjatë një shpërthimi, teksa po udhëtonin me makinë. Në këtë shpërthim mbeti i plagosur rëndë dhe Alvini, dëmtim që e bënte që të çalonte me një këmbë.