Ministri Fuqiplotë Bledi Çuçi për menaxhimin e fatkeqësive natyrore ka inspektuar bashkë me një grup inxhinierësh izraelitë disa pallate të dëmtuara nga tërmeti në zonën e plazhit të Durrësit. Shumë prej objekteve sipas këtyre inxhinierëve nuk kanë probleme nga ana strukturore, por vetëm dëmtim të mureve të cilat janë plotësisht të riparueshme. Çuçi tha se qytetarët të mos gënjehen nga pamja e jashtme pasi disa godina duken të rrënuara nga muret pro nuk kanë dëme ne strukturë, ndërsa disa të tjera që duken të mbajtura, fatkeqësisht kanë dëme në strukturë dhe duhen prishur. Ministri tha se ekspertët e huaj janë pikërisht këtu për të bërë një vlerësim sa më të drejtë dhe të saktë të dëmeve të tërmetit.
“Këtu jemi në rastet kur nga vëzhgimi i inxhinierëve është konstatuar se objekti nuk është i rrezikshëm, por nevojiten ndërhyrje riparuese në mure, të cilat duhet të realizojë firma ndërtuese që ka bërë pallatin. Edhe sipas porosisë që dha Kryeministri, duhet kontaktuar firma ndërtuese përmes zyrës së urbanistikës në bashki, në mënyrë që të bëhen ndërhyrjet e domosdoshme. Gjëja më e rëndësishme këtu është fakti që pallati nuk ka probleme nga ana strukturore, por vetëm tek muret. Ajo që është e rëndësishme është se nuk duhet të gënjehemi nga pamja e jashtme e objektit, pasi mund të ketë probleme të brendshme, ashtu sikundër nuk duhet të trembemi nga pamjet e jashtme me dëmtime të mëdha, të cilat mund të jenë vetëm në mure dhe jo strukturore”, tha ministri Çuçi.