Policia e Shtetit ndërmori mesditën e së martës
një operacion blic në Doganën e Tiranës ku ushtroi një kontroll të imtësishëm në
ambientet e administratës, në lokalet përreth institucionit si dhe tek
automjetet dhe personat që hyjnë e dalin në doganë.
Në operacion u përfshinë 200 forca policie nga
FLO, DVP Tiranë dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e
Shtetit.
Për kontrollin e territorit krahas punonjësve
të Policisë u përdorën drone dhe qen antidrogë.
U kontrolluan 67 kamionë, 23 magazina dhe
objekte të ndryshme brenda doganës, 107 automjete dhe rreth 267 persona.
Gjatë kontrolleve, u sekuestruan në cilësinë e
provës materiale 1 pistoletë, e cila do të dërgohet për ekspertim, disa vula të
dyshuara si të falsifikuara e sende të tjera të kundërligjshme.
Policia ka shoqëruar për veprime të mëtejshme
7 persona.
Policia e Shtetit njofton se do të vijojë
kontrollet në të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë, me qëllim parandalimin
dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme, si dhe rritjen e parametrave të
sigurisë publike.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të
denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital apo në numrin 112,
duke u garantuar anonimat të plotë.
Ky aksion i policisë është në vijim të planit
për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, porteve e aeroportit,
doganave dhe çdo objekti të rëndësisë së veçantë, për parandalimin dhe goditjen
e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në tërësi.
Vetëm pak ditë më herët Policia ndërmorri një aksion të ngashëm në Portin e Durrësit.