Kufiri detar, Rama: Zgjidhje konsensuale me Greqinë

AKTUALITET


Nga Greqia ku zhvilloi një takim me homologun Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri Edi Rama foli në një intervistë për Euronews, ku preku disa tema. Së pari ai është ndalur te çështjet ende të pazgjidhura mes dy vendeve, siç është kufiri detar. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se do të vijojë të punojë me qeverinë e re të Greqisë, me shpresën se do gjendet një zgjidhje konsensuale. “Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparime të konsiderueshme dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”, tha Rama.

Lidhur me çështjet e minoritet grek në vendin tonë, Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria është shembull i respektimit të të drejtave të pakicave. “Shqipëria është shembull i ndritur i respektit për të gjitha pakicat dhe për ato greke, të cilët jetojnë aty prej shumë kohës, në të njëjtat kushte si Shqiptarët. Po, kur ka probleme, ato janë njësoj për të gjithë, jo për një pakicë apo tjetrën”, tha Rama.


Për ligjin për shpronësimet, që nuk është pritur mirë nga drejtues të minoritetit, Rama sqaron se ndryshimet synojnë t`i japin fund problemit të pronave në vend, duke luftuar korrupsionin në sistem. “Ajo që po përpiqemi të bëjmë është thjesht të riformulojmë legjislacionin ekzistues për të mirën e të gjithëve, dhe të luftojmë korrupsionin në sistem, që derdh gjakun e njerëzve për pronat e tyre. Por nuk ka të bëjë vetëm me pakicën Greke, por për të gjithë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama është  pyetur dhe për vdekjen e Kostandin Kacifas, ekstremistit grek që u vra vitin e kaluar në fshatin minoritar Bularat, në Gjirokastër. Rama është shprehur se “beson se çdo njeri që mban armën duke kërcënuar jetën e njerëzve është i rrezikshëm”, thotë Kryeministri, duke shtuar se nuk beson se rasti i Kacifas do të çojë në konflikt midis komunitetit grek dhe shqiptar. “Unë nuk mendoj kshtu. Përkundrazi, besoj se historia e dy komuniteteve tregon që nëse politika nuk ndërhyn, ato janë një. Prandaj nuk ka ndarje apo urrejtje në zemrat e komuniteteve ku shqiptarët dhe grekët kanë jetuar së bashku prej vitesh”, tha Rama.




Skip to toolbar