Bashkia e Vaut të Dejës ka qenë “zona më e nxehtë” dy ditë para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ku shkalla e protestës arriti kulmin dhe u “finalizua” me djegien e godinës së shkollës profesionale ‘Ndre Mjeda’ në Bushat dhe materialeve zgjedhore, një skenar pak a shumë i ngjashëm me atë në bashkinë e Shkodrës, Burrelit apo Klosit.
Report tv sjell video teksa militantët e Partisë Demokratike djegin me molotov godinën e KZAZ-së së Bushatit. Në video shihen pamjet e përplasjes së policisë me protestuesit të cilët tentonin me dhunë të futeshin brenda ambienteve të shkollës “Ndre Mjeda”.
Në video shihen qartë militantët e Partisë Demokratike që u bëjnë thirrje dhe personave që janë të distancuar nga përplasjet të afrohen dhe të sulmojnë shkollën ku ndodheshin materialet zgjedhore.
Pas disa minutash militantët i kanë vendosur flakën hyrjes së shkollës, për të djegur më pas materialet zgjedhore.
Edhe pas mbërritjes së zjarrëfikësve dhe shuarjes së zjarrit militantët e Partisë Demokratike kanë nisur përsëri përplasjen me policinë. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur 3 policë, ndërsa ranë në pranga 15 persona, mes tyre nënkrytari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Admir Hasnegaj dhe vëllai i kryebashkiakut. Ndërsa kryebashkiaku Zef Hila u shkarkua nga detyra menjëherë pas ngjarjes, me urdhër të kryeministrit Rama.
Strukturat e PD-së u mobilizuan në zbatim të skenarit të opozitës për të bllokuar zgjedhjet e 30 qershorit duke ndjekur modelin e Shkodrës dhe duke djegur materialet zgjedhore që ndodheshin në shkolla.