Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj në një intervistë në “Special Report”, në ABC foli për tentativën e të dënuarit Dan Hutra për t’u arratisur nga burgu i Fierit ku edhe vuan dënimin.
Hodaj theksoi se fatmirësisht një ngjarje e tillë u parandalua në kohë.
“Në përgjithësi po të kemi parasysh se çfarë dinamike paraqesin këto struktura mund të themi se është mirë me kaq. Dhe është mirë që për fat u parandalua një ngjarje e tillë, pasi e dimë të gjithë se çfarë arriti të bënte kur ishte jashtë”, ka thënë ai.
Gjithashtu gjatë kësaj interviste, theksoi se ndër vite është ulur numri i vrasjeve dhe se sot situata është e përmirësuar.
“Faktorët që kanë ndihmuar në uljen e ngjarjeve të rënda, janë bashkëpunimi me autoritetet. Nëse shohim trendin ndër vite, shifrat e viteve të fundit, na tregojnë për ulje. Duhet të themi se shifrat janë përmirësuar dhe kjo na bën që të punojmë me më shumë përgjegjësi”, theksoi ai.
Hodaj më tej shtoi se në vitin e kaluar u shënuar një numër rekord turistësh.
“Një meritë e madhe i shkon edhe publikut. Është mundësuar që të gjithë këta turistë të kalonin pushime të këndshme në Shqipëri. Sezoni turistik 2024 është më sfidues dhe ne na takon që të marrim masa”, tha ai.
Në këtë interviste, Hodaj u ndal edhe tek çështja e 21 janarit, për të cilën tha:
“Ne kemi të gjithë interesin që puna të bëhet korrekte. Ajo ditë tregon se si një shtet nuk funksionon apo arrin në pikën ku vret shtetasit e vet. Mos të harrojmë 4 viktimat, por edhe të plagosurit. Gjithashtu të mos harrojmë edhe kalvarin gjyqësor të asaj çështje pasi u ndaluan shumë procedura dhe Policia e Shtetit u bë pengesë. Dhe ky është momenti më i mirë që Shqipëria të mbyllë hesapet me këtë çështje. Unë e kam ndjekur me detaje edhe në procese gjyqësore dhe është një llogari e hapur qoftë me historinë, por ia kemi detyrim edhe shqiptarëve”,
Vrasja në Fresk;
Julian Hodaj: Flitet për një krim familjar, arsyet e vërteta besoj do të zbardhen shpejt dhe për policinë besoj është e ditur edhe dinamika.
Është për të ardhur keq që viti fillon në një mënyrë të tillë. Ne duhet të rafinojmë politikat në këtë drejtim. Ndër vite janë ashpërsuar edhe dënimet për armëmbajtje të leje, por duket se ka ende në qarkullim edhe pse numri i tyre vit pas viti ulet.