Avokat Spartak Ngjela, komentoi reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me sulmet e Ilir Metës ndaj ambasadës së SHBA. Sipas Ngjelës, DASH i tha Metës që “je anti-reformë”.
“Sot, Departamenti Amerikan i Shtetit iu përgjigj me elokuencë Metës duke i thënë: Ti, zoti Meta, je anti-reformë. Por reforma do të vijojë se është jetike për Shqipërinë. Ky është thelbi i përgjigjes. Ndërsa, për atë të shtetit të ambasadorëve në vend të shtetit të së drejtës, që tha Meta dje, DASH i tha se, ‘kryesor është zbatimi i ligjit”, shkruan Ngjela.
Më tej ai thotë se sjellja e Metës me ndërkombëtarët, nuk mund të krahasohet as me atë të Berishës në 1997. “President më të paturpshëm se ky, nuk do t’i vijë më Shqipërisë. Edhe Sali Berisha e humbi toruan në luftën e tij me Uashingtonin në vitin 1997, por, të gjitha absurditetet nuk i tha botërisht si president, por në telefon me ta”.
Ndaj, avokat Ngjela mendon se Presidenti këcënohet nga penaliteti për shkelje të mëdha të ligjit. “Kurse Metën e kërcënon edhe penaliteti për shkelje të mëdha të ligjit, prandaj e ka kaq të madhe shthurjen mendore. Edhe DASh, kështu i thotë: “kryesorja është respektimi i ligjit”. Nuk ndalohet dot kjo reformë, kot lodhet Meta. Dhe DASH njofton gjithashtu se Byroja Kombëtare e Hetimit është duke u ngritur. Po Meta? Tani do të kthejë… duke pritur fatin e tij drejt hetimit: kjo duhet të jetë rruga e tij. Të shohim…”, shkruan Ngjela.