Debatet brenda mbledhjes së PD në lidhje me përcaktimin e aksionit opozitar, u fokusuan edhe në dhënien e mesazheve enveriste nga Jemin Gjana. Pasi Basha paraqiti 5 pikat kryesore të aksionit opozitar të ardhshëm dhe ua dha fjalën për diskutim të pranishmeve, ajo që ra në sy ishte thirrja e Jemin Gjanës: “Kujdes! Brenda partisë kemi ende elementë që i shërbejnë Ramës” duke folur për armiq të brendshëm në parti dhe tregim vigjilence ndaj tyre, si të ishte në një mbledhje të partisë komuniste të Enver Hoxhës.
Duket se gjithçka që mori nga pjesëtarët e partisë së tij ishte shpërfillja dhe ironitë. Në një pjesë të zbardhur të debatit nga Gazeta Tema, Tomorr Alizoti preferoi që t’i ironizonte këto thirrje të Gjanës duke thënë se “këto armiq në parti le t’ia lënë Enver Hoxhës”. Ndërsa Salianji preferoi t’i shpërfillte duke folur për hapje reale të partisë me personalitete publike dhe ekspertë të rinj dhe “jo të mbahen sytë vetëm a do vijë dikush që ka punuar me Ramën.”
Pjesë e zbardhur nga debati në mbledhjen e PD-së:
Lulzim Basha: Po e nis këtë mbledhje duke theksuar këta elemente kryesorë të cilët janë edhe vijueshmëria e aksionit tonë opozitar:
1 Raporti i OSBE/ODIHR dhe rezoluta e Bundestagut, duke shpresuar se deri në tetor nuk ka ndërhyrje negative nga vendet skeptike, është skanimi i situatës. Jemi futur në fazën finale të zgjidhjes së krizës. Zgjidhja e krizës, që mbetet imperativ dhe objektiv kryesor yni, vjen vetëm duke iu drejtuar sovranit me zgjedhje të lira e të ndershme.
2. Asnjë iluzion se aksioni opozitar do të ketë ndërprerje apo tërheqje. Krahas aksionit opozitar dhe qytetar, do të vazhdojmë me përfundimin e programit dhe alternativës.
3. Përgatitja e PD për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në 1 ditë. E gjithë partia, jo vetëm forumet, zbret në terren dhe nis përgatitjet dhe kontaktin me qytetarët për zgjedhjet si zgjidhja e krizës.
Zgjidhja e krizës janë zgjedhjet e parakohshme. Aksioni opozitar do të intensifikohet, gati për protesta. Ritmi i punës në terren duhet të rritet. Alternativa është duke u përgatitur”
Jemin Gjana: Kryetar, une shoh qe situata e zgjedhjeve mund te shkoje dhe ne 2021 dhe duhet pergatitje. Partia Demokratike duhet qe te kete kujdes nga elemente qe e kane nisur qe ne 2009 bashkepunimin me Ramen dhe e vazhdojne edhe sot. Une kam folur per ta sahere kam mundur por duhet te kihen kujdes.
Tritan Shehu: Situata sot është shume e rrezikshme për te ardhmen e vendit, lirisë e integrimit, i cili siç e cilësoi dhe Bundestagu po kalon një krizë të rëndë të brendshme politike. Reforma zgjedhore në vetvete nuk mund ta lehtësoje gjendjen. Rama përpiqet ta përdorë atë për demagogji. Ajo duhet trajtuar si një pjesë e një pakete të gjerë politike për të çuar në zgjedhje të lira politike e lokale, të bazuar mbi çfarë ne miratuam në shkurt. Çdo rrugë tjetër do të jetë e rrezikshme për demokracinë tonë duke konsoliduar autokracinë. Ne duhet të vazhdojmë lëvizjen mbarë popullore duke e zgjeruar e thelluar atë, sidomos tashti që gjithmonë e më shumë kemi mbështetjen e partnereve tanë. Po kështu duhet të punojmë fort për forcimin organizativ të PD e zgjerimin e shtrirjen e saj të mëtejshme.
Ervin Salianji: Duhet ta qartësojmë mirë që ne nuk jemi tërhequr nga kushtet për zgjedhje të parakohshme dhe për largimin e Ramës, ndryshe pjesëmarrja në komision dhe zgjedhjet me reforme zgjedhore mund t’i kishin propozuar që para zgjedhjeve lokale pa lëshuar bashkitë.
Po ashtu pjesëmarrja në atë tryeze na obligon që tani të propozojmë plan konkret duke qenë gjithëpërfshirës dhe duke marrë mendimin e të gjithëve, nga ish deputetet tek kryesia tek kryetaret e degëve dhe kudo në shoqëri sepse çdo eksperience vlen. Qartazi ne duhet të propozojmë pa kompleks ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe të çojmë votën tek qytetarët dhe ta kalërojmë ne si betejë ndryshimin me listat e hapura.
Në lidhje me mendimin kritik, unë them që PD ka më shumë nevojë për mendim ndryshe ose alternativ por po aq ka nevojë të vlerësojë kontribuuesit e opozitës se vështirë 6-vjecare dhe jo të mbahen sytë vetëm a do vijë dikush që ka punuar me Ramën. Qytetarët presin hapje reale me personalitete publike dhe ekspertë të rinj.
Romeo Gurakuqi: Unë shoh si shqetësim që ne duhet qartësisht të kemi propozime konkrete ndryshimin e strukturës kushtetuese, duhet të propozojmë dhe të dalim me platformë konkrete se si dhe ku duhet të ndërhyjmë për të ndryshuar dhe për ta çuar vendimmarrjen tek qytetari. Në Shkodër duhet një plan konkret se si do ecim me një “road map” konkret sepse situata është aspak pozitive aty!
Edmond Spaho: Vendi është në krize te thelle politike dhe këtë e faktoi dhe raporti i OSBE/ODHIR. Kriza kapërcehet me zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Ne duhet të parandalojmë ne reformën zgjedhore shitblerjen e votës, përdorimin e kontingjenteve kriminale, policisë, përdorimin e administratës dhe gjithë elementet teknike që ka paraqitur OSBE/ODHIR. Ne duhet të propozojmë dhe ndryshimet kushtetuese për balancimin e pushtetit, për mosrënien e tyre ne një dore sikurse ka ndodhur aktualisht me Edi Ramën. Nëse mazhoranca nuk është e gatshme për zgjidhje politike rruga jonë është ajo e protestave. Protestat duhet të jenë në formë tjetër dhe pjesëmarrje edhe më masive se të deritanishmet. Ne duhet të hapim partinë sepse sa herë jemi hapur kemi pasur suksese.
Grida Duma: Duhet të kuptojmë qarte që jemi këtu për njerëzit; për demokratët dhe për shqiptaret. Nëse s’jemi për ata nuk jemi as për vete. Shqiptarët presin nga ne të mos jemi e keqja më e vogël por më të mirë se kundërshtari. Ne s’mund t’i gëzohemi faktit që do na votojnë ata që janë kundër Ramës, nuk mund të varemi nga vota kundër dhe kaq. Kjo sepse ka nga ata që mendojnë që mjaft të rezistosh dhe pushteti do vijë vete një here në 8 vjet. Shqipëria e 2019 nuk pret nga ne që të presim nga vota kundër. Unë besoj që ky forum dhe vete Partia Demokratike ka kapacitete për të qenë shumë herë më e mirë jo më pak i keq se qeverisja e Ramës. Por që ky forum të bëjë punën e vet duhet të përfshihet në vendimmarrje. Mbledhja e pare po zhvillohet ne 30 shtator pra fillim tetori pas muajsh e muajsh sakrifice. Sakrifice e cila u bë në ekstrem nga demokratët dhe sot po përballet me kaosin dhe paqartësinë. Nuk duhet të kompleksohemi edhe nëse kemi bërë gabime por jo të rrime peng i tyre. Thamë protesta dhe i ndaluam, thamë morëm pjesë në nivel teknik në tryezën e reformës dhe ky dokument teknik nuk dihet cili është. Duhet doemos të kemi qartësi dhe të respektojmë sakrificën e madhe të bërë deri tani. Kjo do ta ndërtojë me siguri frymën e fitores.
Genc Pollo: Edhe pse votimet ndodhën në 30 qershor, edhe pse bashkitë i morën njerëzit e Ramës protesta gjashtëmujore e masat e pazakonshme treguan fuqinë e opozitës; forcë, e cila nga latente u bë proaktive; kështu u forcua besimi tek opozita në opinionin vendas dhe gjendja reale e problemet që ka sjellë qeveria u kapën nga radarët e mëdhenj ndërkombëtarë. Nuk mbetën më të kyçura në sirtarë burokratësh. Deri në shkurt 2019 opozita për radarët ishin vetëm studentët e rrugës së Durrësit. Objektivi ynë duhet të jenë zgjedhjet e parakohshme të dyfishta brenda 2020, mundësisht deri në mes të vitit tjetër. Është zgjidhja më e mirë për Shqipërinë e për opozitën. Për ketë duhet mobilizim dhe baza ngrihet e motivohet edhe pse ka aty këtu ndonjë zhgënjim apo ndonjë kritikë për ndonjë inkoherencë tonën. Vetëm një veprim i fortë e konseguent edhe në rrugë mund imponojë zgjidhjen nëse Rama e refuzon atë me kokëfortësi.
Lulzim Basha: Tomorri i fundit se u zgjat mbledhja dhe duhet te jem be nje aktivitet.
Tomorr Alizoti: Nese flasim për Hegelin ai thote qe duhet perplasur teza me antitezen qe ne fund te arrijme nje sintezë. Une per nje kohe kam bere antitezen por tani ka ardhur koha qe te arrijme ne nje sinteze. Duhet qe te qemi te qarte qe situata eshte e turbullt dhe ne duhet te pranojme qe misionin qe nisem nuk e perfundojmë dot. Ne duhet ta ndajme nëse do shkojmë ne zgjedhje me reformen elektorale apo do shkojmë me Ramën ne zgjedhje. Ne lidhje me armiqte ne parti ata tia leme Enver Hoxhes.
Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar, ne i qëndrojmë kërkesave si më parë. Kriza sot është një realitet i pranuar dhe nga ndërkombëtaret. Ne do formojmë tre struktura të cilat na janë propozuar dhe nga konsulentët tanë që kemi muaj që i kemi si konsulentë. Do të kemi trurin zgjedhor, strukturën organizative dhe struktura juridiko elektorale. Ne duhet të shtojmë ritmin e punës në terren duke shpërndarë optimizëm tek anëtarët dhe jo dilema që gjithsecili mund t’i ketë. Ne nuk na pengon asgjë që të bëjmë punë organizative, të rrisim me 5 anëtarë për çdo QV numrin e anëtarësisë deri në fund të Tetorit dhe të mos kemi asnjë fiktivitet. Zgjidhja e krizës vjen nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. Aksioni pa diskutim që do të intensifikohet me të gjitha mënyrat. Sot të gjithë janë të qartë që ndërkombëtaret janë vetëdijesuar nga lëvizja jonë nga ana tjetër ne kemi bërë çdo përpjekje që negociatat të hapen, kemi lobuar që negociatat janë për shqiptarët dhe jo për Ramën.
Ne duhet ta trajtojmë çdo ditë si fushatë elektorale dhe do ndërtojmë shtabet në çdo njësi, që meritokracia do të jetë matës, ne do të shohim se kush punon më shumë dhe do bëjmë renditje të 300 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, pasi nuk do jenë të gjithë deputetë!