Debati me Veliajn, Klosi: Të hiqen lejet mjedisore për bizneset e vogla

AKTUALITET


Ministri i Turizmit Blendi Klosi ka deklaruar se ka kërkuar që leja mjedisore për bizneset e vogla të hiqet fare në mënyrë që të lehtësohet edhe puna e bashkive.

Përgjigja e Klosit vjen pas deklaratës së bërë pak ditë më herët nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kritikoi qeverinë për lejet mjedisore dhe kërkoi decentralizim të tyre.

“Për një Shvejk në një zyrë që nuk do t’i ikin këto letra dhe korrupsioni që merr me lejet mjedisore, të gjithë kryetarët e bashkive duhet të marrin ministrin, edhe për një lokal që bën zhurmë, se nuk ka gjasë në botë, siç nuk jam bindur unë, të bindësh një qytetar që Bashkia nuk e ka këtë kompetencë”, u shpreh Veliaj pak ditë më herët.

Ndërsa Klosi bëri të ditur të martën se ministria e tij ka kërkuar që të hiqen lejet mjedisore për 5500 subjekte, siç janë furra buke, gomisteri etj.

“Ne kemi kërkuar që lejet e tipit C, që kanë të bëjnë me bizneset e vogla (furra buke, gomisteri) të mos kenë fare raport me lejen mjedisore. Bashkia, kur jep lejen për një furrë buke, të gjykojë nëse ajo leje e dëmton komunitetin dhe të mos e japë fare. Kemi propozuar zyrtarisht që të hiqen lejet e mjedisit për 5500 subjekte që vuajnë kot nga një leje që nuk duhet të jetë leje mjedisi”, tha Klosi në a2cnn.

Më tej, Klosi nënvizoi se “korrupsioni nuk luftohet me deklarata, por me mekanizma”.

“Kemi propozuar edhe që lejet të merren online, të mos ketë fare kontakt me administratën. Nëse dikush kërkon të ndërtojë HEC në zonë të mbrojtur, nuk mund të aplikojë fare për leje. Nuk do të jetë dikush që do ta vendosë nëse ndërtohet apo jo ky HEC, thjesht nuk mund të aplikosh në atë zonë. Kjo është lufta kundër korrupsionit”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit.

Në lidhje me turizmin, Klosi bëri me dije se “në vitin 2018, në Shqipëri kanë hyrë rreth 6 milionë turistë të huaj dhe këtë vit presim që të shkojmë në 6,5 milionë turistë të huaj”.

“Ne kemi problemin e madh të akomodimit. Gushti ka qenë një sezon pa një dhomë bosh. Sa më shumë të rritet numri i turistëve të huaj, aq më shumë do të rritet përgjegjësia e administratës. Vitin tjetër kemi në plan një fushatë që t’i bëjmë thirrje turistëve shqiptarë të bëjnë më shumë turizëm në Shqipëri sepse ndihmojnë biznesin vendas. Gjithashtu, problem i turizmit shqiptar është mungesa e infrastrukturës dhe mbetjet. Turizmi është biznes i stërmadh, por që kapet në detaje. Turisti vjen për detin, por nëse te dera e hotelit shikon një grumbull plehrash, nuk kthehet më sepse ai detaj ia prish pushimet”, shpjegoi Klosi.



Skip to toolbar