Debati për videon erotike, ish ministri i LSI kundër Metës: Shantazh publik

AKTUALITET


Presidenca njoftoi pak kohë më herët se do të zbulonte përmes një video “prova përvëluese” dhe menjëherë shpërtheu debati në media dhe në studio televizive për ekzistencën e një video erotike. Pikërisht këtë debat dhe përdorimin e një video të tillë, ish ministri i LSI-së, Ylli Manjani e konsideron një shantazh publik, hipokrit dhe të ndyrë që nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën dhe me Gjykatën Kushtetuese.

“Është një video erotike…Kjo është tema më interesante për publikun në këto vitet e fundit. Ngjan si shantazh publik ndaj “viktimave” që kanë poste publike. Mendoj se kjo në thelb është poshtërsi hipokrite. E ndyrë sa më s’ka! Veglat gjenitale i janë vënë nga krijuesi njerëzve për këtë punë, pra për eros. Kështu që dy persona që na zhvillokan një marrëdhënie erotike nuk më duket ndonjë gjë kaq interesante, as e veçantë. Për këtë punë janë bërë ato të shkreta…

Debati në fakt lind për shkak të moralit monogamist. Kurioziteti i gërryen njerëzit që të dinë se me kë ja dreth ky apo ajo bashkëshortit. Dhe po të zunë në flagrancë të ta bëjnë me gisht (gishtin tregues) si një tradhëtar.

Qesharakë! Kaq e cekët është kjo logjikë saqë është krijuar ideja e rreme se vetëm ato që kapen në video janë tradhëtarët. Të tjerët janë engjëj!

Për të qeshur me lot madje.

Por, ajo që s’kuptoj dot është se ç’lidhje erosi jashtmartesor i dy njerëzve me borxhin publik; me koncensionet e PPP abuzive; me nxjerrjen e shtetit nga Kushtetuta e ligjet; me Gjykatën Kushtetuese që nuk bëhet; me papunësinë që shtohet; me emigracionin që rritet, apo mos do na çelen negociatat nga zbulimi i kësaj gjëje ?!

Pa këto video-flagranca që përhapen nga moralistë, Shqipëria do ishte më e pasur, më e begatë e me shtet të përgjegjshëm?!

Llogjika 0!”, shkruan Manjani.

Ai thotë se është më e ndershme t’i thuash tjetrit në sy “ik mor sharlatan”, sesa ta shantazhosh me video nga jeta private.



Skip to toolbar