Dëftesa e notave e dështimit të “suksesshëm”

Më të fundit


Nga Sokol Balla

Europiani për ne, nisi keq. Tre protagonistë kryesorë të eleminatoreve u lanë jashtë. Tre të tjerët që i zëvendësuan, i konsideruan ish-kolegët e tyre si plaçkë lufte dhe fillimisht u morën numrat. Broja iu turr numrit 11 të Cikalleshit, i cili deklaroi menjëherë largimin përgjithmonë nga Kombëtarja. Por Brojës, iu desh të kënaqej vetëm me bluzën, si një tifoz që e merr atë dhuratë nga një lojtar në fund të ndeshjes. Shkodrani i lindur në Plough (Plaf), u aktivizua në tre ndeshje, as 60 minuta. Dikush mund ta kritikojë trajnerin tonë Brazilian, por ai mund ta ketë justifikimin gati: 60 minuta, pasi kartoni i tij vlen 60 milion. Pra një milion për çdo minutë. Të shkuara dëm, më shumë sesa për Brojën, për Kombëtaren.
Në vend të tij luajti një tjetër lojtar, fati i të cilit “lidhet” deri diku me Karmën e Cikalleshit. Kavajasi që kishte shënuar gola me dy shifra për skuadrën e tij turke, u zëvendësua nga një tjetër “turk”, Rei Manaj, i cili nga shifrat nuk ishte keq, bile nga sponsorët e tij mediatikë, u shit si konkurent direkt i Mauro Icardi. Por sponsorët e Manajt të vetmin sukses që patën, ishte se e dërguan në Europian, pa luajtur asnjë minutë në eleminatore. Kur ai e pati fatin vetë në duart e veta (jo në këmbët, se ato nuk i punuan), tregoi se të jesh me fat, nuk do të thotë të jesh i talentuar. Për lojtarin e një skuadre, që kualifikohet në Europian, nuk quhen golat që shënon në ndeshje miqësore.

Dy protagonistët e tjerë që u lanë jashtë ishin futbollistë të La Liga (njëri prej tyre me 11 gola, megjithëse një pjesë e mirë të sezonit i dëmtuar), por megjithëse në grup kishim Spanjën, traineri ynë Brazilian (i rëndomtë, sipas Specialit Mourinho) mendoi që dy “spanjollët”, Uzuni dhe Bare nuk i duheshin, për atë që doli se ishte ndeshja vendimtare e kuqezinjve. Por pothuajse të njëjtin fat, pati edhe spanjolli (pa thonjëza) Ivan Balliu. Ai luajti vetëm ndeshjen e tretë, kundër “bashkëpatriotëve” të tij iberikë, ngriti një mur të mirëfilltë në krahun më të dobët të skuadrës sonë, atë të djathtë, por harroi që 10 lojtarët e tjerë të vetët, nuk ishin dot as te niveli i Spanjës B, e cila nxitoi të mbyllte ndeshjen shpejt, për t’i shpëtuar një gjobe nga UEFA, se po mundte Shqipërinë, me kalamaj 16 vjeçarë. Yamin Yamal ndërkohë bëri lëmsh krahun tonë të majtë të mbrojtjes, megjithëse aty mendonim se edhe ne, kishim “fëmijën” tonë gjeni, Mario Mitaj. Por as Mitaj nuk bëri dot kësaj radhe mrekullinë. Një tjetër lojtar i Ligës Ruse, gjithashtu nuk u ngrit dot më lart se një tifoz i zakonshëm stadiumi. E përcaktoi fatin e tij (por edhe të kombëtares) me ca klithma të panevojshme nacionaliste nga një altoparlant dore. Ajo që të bën të plasësh nga marazi, ishte se Daku u dënua nga klubi rus, përpara se të dënohej nga UEFA. Ai dhe kombëtarja jonë.

Ajeti ishte aty, stoik, si gjithmonë. Sa herë e kërkojnë. Edhe pa e kuptuar përse e thirrën nga “pensioni” i kombëtares. Edhe Abrashi, ai pa kuptuar se mirë që e thirrën, po pse nuk e përdorën në asnjë ndeshje. Sigurisht do kishte dhënë kontribut, qoftë edhe sikur të zëvendësonte Ramadanin e lodhur nga një sezon stresues në Serie A. Aty ku shkëlqeu këtë vit Gjimshiti, por pa e përcjellë dot të njëjtën klimë në Europian. Berati ishte kapiteni ynë, por nuk u bë dot një lider i vërtetë. Ndoshta dhe ai ishte i lodhur. I lodhur, por me dëshirë u shfaq edhe Asllani, i cili dha shenjat e para që mund të jetë lideri i ardhshëm i Kombëtares. Por kësaj radhe nuk mundi. Siç nuk mundi as Sylvinho të ngrihej mbi veten dhe të bënte një skuadër të madhe. Në fund flasin shifrat. Shënuam tre herë më shumë, morëm pikë tre herë më pak se në 2016. Kur u radhitëm të tretët, dhe jo të katërtët në grup. Fituam sërish si tifozeria më e bukur dhe më e butë, por ky nuk është as çmim ngushëllues, bile nuk është fare çmim. Në fakt morëm disa gjoba dhe këtu zëvendëspresidenti shqiptar i UEFA-s mund të ishte treguar më pak “gjerman” se gjermanët. Por “gjermani” ynë ishte “problemi” më i vogël. Fakti që në Rinas nuk doli me lojtarët, por më vete, tregoi se indirekt nuk ishte përgjegjësia e tij për dështimin e ekipit. Dhe se në fund ishte me tifozët, jo me trajnerin. Mesazh i duhur, por kam frikë se dështoi në të dyja. Duke mbajtur sigurisht kreditin e vet të padiskutueshëm, për daljen e dytë në Europian, në 22 vjetët e tij në drejtimin prej tij të FSHF.

Notat Kuqezi
1. Strakosha. Nisi në gjumë, por përfundoi ndoshta lojtari më i mirë i Kombëtares. Pësoi 4 gola, por ato mund të ishin edhe 14, nëse Thomas nuk do të kishte ndërhyrë. Verdikti: Nota 8
2. Ajeti: Më kujton shokët e shoqet e klasave ku kam qënë, të cilët nuk ishin as ngelësa, as me medalje ari. Rrinin zakonisht në rreshtat e mesëm. Nuk merrnin kurrë 8, por nuk zbrisnin kurrë te nota 5. Verdikti: Nota 7 (për Ajetin)
3. Gjimshiti. U përpoq të ishte kapiten dhe shtyllë e mbrojtjes. Nuk ja doli. 7 për përpjekjen, 5 për rezultatin. Nota finale: 6
4. Elseid Hysaj. Nota pa koment: 4
5. Ramadani. I lodhur nga një “agjërim” i gjatë. Verdikti: Nota 6
6. Nedim Bajrami. I vetmi që doli me një çmim personal: shënoi rekord të ri në golin më të shpejtë në Europian: 22 sekonda. Por kaq. Nëse do e krahasonim performancën e tij në tre ndeshjet me këtë shifër, do kujtonte më shumë bisedën mes dy shoqeve, kur njëra pyet tjetrën, për performancën e të dashurit të ri, pas natës së parë të dashurisë. Përgjigja do ishte e njëjtë: 22 sekonda. Notën vëreni vetë.
7. Asani: Ëndrra mbaroi. Po ashtu edhe elementi surprizë. Kthyer tashmë në realitet të prekshëm, ai nuk arriti thuajse të prekë asnjë top të rrezikshëm, e lëre pastaj të shënonte. Por assist i tij për Qazim Laçin ndaj Kroacisë, ishte thuajse gol, dhe në krahasim me Bajramin, performanca e tij zgjati shumë më tepër se 22 sekonda. Verdikti: Nota 6.
8. Daku: Tifozi më i mirë i Kombëtares. Dhe lojtari më i keq i saj: nota 4.
9. Seferi: Centauri i Kombëtares dhe lojtari i sakrificës. Luajti gjithmonë aty ku deshi Trajneri. Por tregoi limitet e tij. Por ishte nga më energjikët në fushë dhe dhëmbët i nxorri në 10 minutat e fundit të kroacisë. Verdikti: 9 për përpjekjet, 5 për rezultatin. Nota finale 7.
10. Balliu. Lojtar i saktë. I vuri shpatullat që i mungonin mbrojtjes në dy ndeshjet e para. Çdo trajner që e lë në stol, gabon dy herë: ndaj Balliut dhe ndaj Kombit. Nota 7, sepse luajti vetëm një ndeshje. Por jo për faj të tij.
11. Qazim Laçi, një gol nuk mjafton, por nuk mjafton as për gjithë Kombëtaren. Por ai, Hoxha, Muçi duhet të jenë prezencë e përhershme e Kombëtares. Nota 7.
12. Armando Broja: I vetmi lojtar shqiptar, që tërhiqte në stadium tifozët e huaj: anglezë, gjermanë e skocezë. Edhe pa luajtur asnjë minutë. Por tifozët e huaj prisnin. Po ne çfarë presim që ta përdorim? U provokua shpesh me pyetje, por nuk ju dorëzua kurrë: në fund me kokën poshtë shprehu dëshirën të kishte luajtuar më shumë. Dhe kishte të drejtë. E tronditi Spanjën në 20 minuta lojë. Me Italinë u përpoq shumë, por nuk dha rezultat. Duke nënvizuar ama se i hodhën vetëm një krosim në 45 minuta. Por brenda tij fshihet talenti dhe investimi i më shumë se një dekade në ekipet më të njohura të Holandës dhe Anglisë. FSHF bën mirë të nisë dhe të investojë tek ai, kapitenin, maskotën dhe marketingun kryesor. Ndoshta nuk është dot hero si Loriku, por pa dyshim ai do jetë një lojtar i madh. Sot është vetëm 22 vjeç dhe karriera e tij do zgjasë më tepër se 22 sekonda.
13. Tifozët shqiptarë: Duruan provokime dhe përçmime. Por zbukuruan Gjermaninë për 10 ditë. Jo me silikon, por me freskinë e një kombi të vjetër dhe të rilindur, shpeshherë me intuitë më të fortë se trajneri: thërritën Brojën në fushë, dhe falën Hysajn jashtë saj. Nota 10.
14. FSHF: Duhet ta përdorte më mirë përvojën e shkëlqyer të Euro 2016, kur marketingu nisi nga shqiponja në bluzë. Ndërkohë që në këtë Europian, Kombëtarja u fut me bluza të reja vetëm në stërvitje. Skuadra nuk pati kontakt të mirë me tifozët, ndoshta edhe për shkak të rregullave të akullta gjermane. Por Federata mban meritë të pamohueshme në rikthimin e Kombëtares në Europian, ndaj notën e saj e meriton që mos ta bëjmë publike. Sidomos pasi tani kërkojmë Botërorin.
15. Traineri: Nëse do kishim kaluar grupin, tani do të duhej t’i kërkonim ndjesë për kritikat për lojtarët që zgjodhi, e ata që la jashtë. Për kokëfortësinë e zgjedhjeve që na dukeshin të gabuara. Për golat që Manaj nuk i shënoi kurrë. Për humbjen ndaj Italisë që ja mveshi lojtarëve, për meritën e barazimit me Kroacinë, që ja hoqi atyre dhe e mori për vete. Për faktin se pas eleminimit u fsheh pas lojtarëve, kur shkuan pranë tifozëve për t’u përshëndetur. Pasi nëse do kualifikoheshim të hënën, me siguri do dilte para kamerave, për të pohuar me “modesti” se merita ishte e tija dhe Zabaletës. Gjithashtu në atë rast, do thonim se “mundi” De Biazin dhe zeroi nga meritat Edi Rejan.
Por nga paragrafi i mësipërm e vetmja fjalë e vërtetë është “eleminim”. Dhe jo eleminim si me fitore e tre pikë si në 2016, por një dështim sportiv që meriton notën 4.

Verdikti? Sylvinho ik! Ose dhe rri! Veç kuptoje se kohërat kanë ndryshuar. Tani je ti që duhet të meritosh Kombëtaren kuqezi.



Skip to toolbar