Deklarata e Metës për djegien e Kuvendit, 2 komisione kërkojnë raportim nga SHISH

POLITIKË


Deklarata e kreut të shtetit gjatë raportimit në Komisionin Hetimor, ku tha se “persona të caktuar do të digjnin Parlamentin”, ka shqetësuar Komisionin e Sigurisë, i cili ka kërkuar raportim nga kreu i SHISH, Elidon Bendo për të mësuar se nga kanë ardhur këto informacione për të cilat ka dijeni vetëm Presidenti i Republikës.

Kërkesa është ngritur nga deputeti i maxhorancës në Komisionin e Sigurisë, Xhemal Qefalia, i cili tha se ka aludime që janë identifikuar personat që do të ndërmerrnin aktin duke shfrytëzuar protestën e opozitës më 8 qershor. “Duke përfituar nga prezenca e Komisionit, shpreh një shqetësim që dje e kam ndjekur në media nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili ka sjellë në vëmendje të Komisionit Hetimor, por edhe të opinionit publik një informacion për djegien e Kuvendit nga persona të veçantë. Bashkë me kolegun Vorpsi, i kemi përgatitur kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror një kërkesë për të na informuar rreth këtij informacioni që disponon Presidenti”, tha Qefalia.

Por, kërkesa nuk ka gjetur dakordësinë e të gjithë deputetëve të pranishëm. Deputeti Adnor Shameti, i cili është anëtar edhe në komisionin Hetimor, sugjeroi që Bendo të ftohet pas përfundimit të punës së Komisionit Hetimor, pasi kjo mund të krijojë mbivendosje pune, duke paralajmëruar disi se një raportim i tillë nga kreu i SHISH do të kërkohet edhe nga Komisioni Hetimor “Duke qenë se unë jam edhe anëtar i Komisionit Hetimor, duke qenë se është Komisioni i Posaçëm Hetimor, i ngritur për këtë punë, nuk dua që të ketë mbivendosje të ushtrimit të kompetencave të të drejtave nga Komisioni Hetimor te Komisioni i Sigurisë. Në përfundim të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, nëse ngelet diçka pa u sqaruar, sërish mund ta ushtroni këtë të drejtë. Kështu që unë do të rekomandoja që të mos kemi mbivendosje të punëve të Komisionit Hetimor me Komisionin e Sigurisë. Ju siguroj që do të gjejnë mbështetje të gjitha shqetësimet tuaja”, tha Shameti.

Ky rekomandim nuk ndryshoi mendimin e Qefaliajt, i cili tha se informacionet janë shqetësuese dhe se aludohet për identifikimin e personave të veçantë. “Të jeni të bindur se nuk do t’ia marrim fare kompetencat Komisionit Hetimor. Kështu që unë do të vazhdoj bashkë me kolegun Sadi Vorpsin të ushtroj të drejtën për t’i kërkuar informacione SHISH. Unë njoftova që të ishte në interes edhe për juve si pjesëtar, por dhe të drejtën time. Komisioni Hetimor nuk ka lidhje fare me Komisionin e Sigurisë. Unë jam i shqetësuar dhe besoj se edhe juve duhet të jeni të shqetësuar që qarkullojnë informacione për njerëz të veçantë. Madje aludohet që janë edhe të identifikuar dhe jam i interesuar se çfarë po bëjnë”, tha Qefalia.Madje, edhe deputetja e grupit të PS-së, Elena Xhina, mbështeti Qefalinë, e cila sqaroi se ligjërisht nuk ka asnjë pengesë nga Komisioni Hetimor që të thërritet z. Bendo në Komisionin e Sigurisë.

Një ditë më parë, kreu i shtetit, Ilir Meta, gjatë dëshmisë së tij para deputetëve të Komisionit Hetimor, tha se një nga arsyet që e shtynë atë në anulimin e 30 qershorit, ishte një informacion i ardhur nga institucionet e inteligjencës se persona të veçantë do të tentonin të digjnin Parlamentin duke shfrytëzuar protestën e opozitës më 8 qershor. Kjo deklaratë e Metës është rrëzuar edhe nga vetë opozita, për të cilën Meta akuzohet nga maxhoranca se anuloi zgjedhet, ndërkohë që asnjë institucion tjetër nuk ka folur pë një kërcënim të tillë. Tashm, SHISH duket se do të raportojë si pranë Komisionit Hetimor, ashtu edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të mësuar më shumë nëse SHISH ka pasur vërtetë informacione të tilla, të cilat nuk i ka raportuar pranë institucioneve që e ngarkon ligji, siç është edhe Kryeministri, apo kjo deklaratë ka qenë një “lajthitje” e kreut të shtetit.



Skip to toolbar