“NATO nuk është një aleancë ushtarake e cila që vepron sipas humorit të presidentit amerikan”, kështu është shprehur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Xhosep Borrel (o. Josep Borrell) si reagim pas deklaratave të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump i cili tha se nuk do t’i përmbahej klauzolës së mbrojtjes kolektive në zemër të aleancës nëse rizgjidhej.
“Më lejoni të jem sarkastik. Do të dëgjojmë shumë gjatë kësaj fushate. Le të jemi serioz. NATO nuk mund të jetë një aleancë ushtarake a la carte. Nuk mund të jetë një aleancë që funksionon sipas humorit të presidentit amerikan në ato ditë”, tha Borell teksa merrte pjesë në Këshillin joformal të Ministrave të Zhvillimit në Bruksel.
Komentet e Trump, të cilat vijnë mes një lufte të vazhdueshme në Evropë dhe shqetësimeve në rritje për aktivitetin kinez në Detin e Kinës Jugore dhe drejt Tajvanit, ka të ngjarë të ngrenë pyetje të reja mes aleatëve në Evropë dhe Azi mbi fuqinë e angazhimeve të SHBA.
Gjatë kohës së tij në detyrë, Trump vazhdimisht kritikoi pabarazitë e shpenzimeve brenda NATO-s dhe akuzoi disa vende për mos përmbushjen e detyrimeve të tyre. Ai kritikoi gjithashtu paktet e mbrojtjes amerikane me aleatët aziatikë, Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Por komentet e fundit – treguesi më i drejtpërdrejtë se ai nuk ka ndërmend të mbrojë aleatët e NATO-s nga sulmi rus nëse ai zgjidhet – bien në një kohë me rrethana krejtësisht të ndryshme në krahasim me kohën e tij në detyrë.