Qeveria e Kosovës ka dënuar deklaratat raciste të kryeministres serbe dhe ka shprehur indinjatën për mosreagimin e Bashkimit Europian.
Reagimi ka ardhur nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili me një postim, ka shprehur zhgënjimin e tij me Bashkimin Europian, për mosreagimin ndaj deklaratave raciste të bëra dje nga kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ndaj popullit të Kosovës.
“Në një konferencë shtypi me Ambasadorin e BE-së kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic bën komente raciste kundër Kosovës. Ajo tha se shqiptarët “janë të dalë nga mali. I zhgënjyer me mosreagimin e BE-së kur shteti që e kanë vendosur në grupin e parë në pakon e zgjerimit përdorë gjuhë të tillë ndaj Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic në një konferencë të përbashkët për media me ambasadorin e BE-së në Beograd, tha se shqiptarët e Kosovës “janë të dalë nga mali”. Edhe pse pati shumë reagime nga shumë ndërkombëtarë dhe personalitete rajonale, askush nga Bashkimi Europian nuk bëri ndonjë reagim.