Dekriminalizimi, PD denoncon Pjetrin: U dëbua nga Italia

AKTUALITET


Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë pa vonesë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, i cili u është zgjedhur Kryetar i Bashkisë Shkodër, pasi sipas opozitës, ai është dëbuar nga Italia në vitin 2002.

Sipas opozitës, kërkesa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna, indicie dhe dëshmi publike se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak te ligjit të dekriminalizimit.


“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 deri më 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Nëse këto të dhëna publike verifikohen pa vonesë nga Prokuroria, kjo do të thotë se Valdrin Pjetri nuk mund ta marrë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, as si rrjedhojë e votimeve të pavlefshme të 30 Qershorit.

Pas akuzave të PD, Realstory verifikoi pranë KQZ, kur rezulton se në formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin, Valdrin Pjetri ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë i ndaluar, i hetuar, apo i dënuar nga autoritetet e huaja. Madje, ai ka deklaruar se në vitet 2001-2002 ka jetuar në Firence të Italisë për studime. Në ligjin për dekriminalizimin deklarohet se rastet e dëbimit nuk përmenden vetëm kur subjekti është dëbuar ekskluzivisht për shkeljen e rregullave të emigracionit që kanë të bëjnë me rregullat e qëndrimit apo hyrje-daljes në një territor të një shteti të huaj. Vetë Pjetri nuk ka komentuar akuzat e Partisë Demokratike.




Skip to toolbar