Me anë të një deklarate, Ministrja e Arsimit Besa Shahini bëri një bilanc të situatës së shkollave të prekura nga tërmeti. Shahi dha lajmin së pari se në Durrës nxënësit nuk do të bëjnë mësim deri në datën 9 dhjetor, ndërsa në Tiranë dhe Lezhë mësimi do të jetë i pezulluar deri në datën 5 dhjetor.
“Duke marrë parasysh gjendjen e shkollave u vendos që në Qarkun e Durrësit mësimi do të pezullohet deri më 9 dhjetor. Në qarkun e Tiranës dhe të Lezhës mësimi do të jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor, ku do të fillojë mësimi. Nëse do të shtyhet do njoftohen më 4 dhjetor”, tha Shahini.
Në qaraqet e tjera, që nuk janë prekur nga tërmeti mësimi do të vijojë normalisht. Ndërkohë, Besa Shahini bëri dhe një bilanc të situatës së dëmtimeve në shkolla.
“Në Durrës e Lezhë kanë dëmtime të thella 26 shkolla. Në Tiranë dëmtime mesatare dhe të lehta janë 23, përveç Prezës që do të zhvendosen nxënësit në një shkollë tjetër. Një pjesë e shkollave në Tiranë janë mbyllur por jo të gjitha. Mbrëmë kemi bërë zhvendosjen e planeve të nxënësve tek shkollat pritëse. Kemi bërë kalkulimin e kostove dhe jemi në proces të mjeteve të transportimit. Edhe për nxënësit që janë strehuar nëpër hotele. Duhet t’i çojmë në shkollat më të afërta”, shkruan Besa Shahini.
Ndërkohë, ministrja shprehet se mësuesit do të dalin në punë në datën 2 dhjetor, veç Durrësit. Ajo thotë se do të ketë një plan pune përgatitore për mësuesit që do të dalin në punë para se të vijnë nxënësit.
“Plani i punës për detyrat e shtëpisë, e kemi mbyllur për strehimet e përkohshme. Jo vetem në hotele por edhe tek çadrat. Plan pune përgatitore për mësuesit që do të dalin në punë para se të vijnë nxënësit. Mësuesit i presim në punë me 2 dhjetor. Përveç se në Durrës që do të jetë me tolerim. Kjo është e domosdoshëm që të bëhet për të përgatitur mësimin. Nuk është opsionale por do të monitorohet. Mosparaqitja nuk paraqiti problem por tani është momenti i përgatitjes së mësimit. Jemi në gjendje të jashtë zakonshme. Duhet të vihet në plan të dytë frika. Kemi përparësi mësimin”, thotë Shahini.