Elseid Hysaj nuk do të jetë i disponueshëm për takimet e Kombëtares kuqezi. Shkodrani, që u dëmtua pas një rënieje të keqe në takimin Torino-Napoli, ka thyer kockën e kraharorit dhe do t’i duhet disa ditë regjim. Lajmin e ka zyrtarizuar klubi i Napolit, nëpërmjet një komunikate zyrtare.
“Hysaj ka pësuar një thyerje të pjesshme të kockës në pjesën e kraharorit. Pas një ekzaminimi klinik dhe radiologjik, kjo ishte diagnoza e fundit për Elseid Hysajn, i cili doli nga sfida pas një përplasje në takimin mes Torinos dhe Napolit. Mbrojtësi nuk do të jetë i gatshëm për sfidat e Kombëtares Shqiptare” – shkruan Napoli në një komunikatë zyrtare.
Ndërkohë, trajneri Ançeloti e ka paraqitur më të lehtë gjendjen e shkodranit në konferencën për shtyp në fund të sfidës. “Ai ka një frakturë në një kockë të kraharorit, ai do duhet të qëndrojë jashtë për disa ditë. Sidoqoftë, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”.