Deputetët e rinj nga lista e PD, Basha fajëson aleatët: I propozuan ata

POLITIKË


Kreu i PD, Lulzim Basha ua ka hedhur fajin aleatëve të partisë së drejtuar prej tij për emrat në listën e PD për deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët zunë vendet vakante në Parlament pas djegies së mandateve nga ana e opozitës. Në një intervistë për Neës 24, i pyetur për emrat që janë ulur në Parlament të dalë nga PD, kryedemokrati është shfajësuar mbi këtë listë, duke vënë në dukje se ata ishin të listuar nga fundi dhe vëmendja e tij ka qenë më e reduktuar.

“Duhet të keni parasysh që këta kanë ardhur nga fundi i listave, ku, për të thënë të drejtën edhe vëmendja e propozuesve të emrave ka qenë më e reduktuar. Një pjesë e emrave ka ardhur nga partitë e vogla aleate. Kjo është diçka që nuk thuhet shpesh. Gjysma e tyre, nuk kanë ardhur as si propozim i PD, por i aleatëve shumë të vegjël, të cilët e kërkonin këtë si afishim nominal të partisë, logos së partisë. E gjitha kjo ka ndodhur në një proces në më pak se 5 ditë. Nga marrëveshja e 17 Majit deri në publikimin e listave, koha për të bërë një vetting të kandidaturave ka qenë më e shkurtra ndonjëherë në 30 vjet histori të zgjedhjeve. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk është justifikim. Është një shans për reflektim dhe për ndryshim, që kjo të mos përsëritet më kurrë”, iu përgjigj Basha pyetjes që në Kuvend janë ulur disa deputetë, të cilët nuk dinë të lexojnë dhe nuk dinë të shkruajnë.


Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të parakohshme që opozita kërkon, kreu i PD nuk ka nxjerrë një plan të qartë sesi do të veprohet në kohën që kryeministri Rama ka deklaruar qartë se zgjedhjet janë në vitin 2021. “Detyra jonë si opozitë është të vazhdojmë këtë që kemi nisur, vetëdijësimin e njerëzve, t’i bëjmë të besojnë se gjëra, në të vërtetë, mund të jenë ndryshe dhe duhet të jenë ndryshe, si dhe të bashkohemi për ndryshimin që sot e dëshiron dhe e shpreson çdokush”, tha Kryetari i PD, Lulzim Basha.




Skip to toolbar