Ka nisur me një interpelancë me ministren e Arsimit, Besa Shahini, seanca e së enjtes. Interpelanca është thirrur nga deputeti i opozitës së re, Andi Përmeti. Në fjalën e tij ai e cilësoi mjaft të rëndësishme vendosjen e notës mesatare për shkollën e lartë, ndërsa tha se pikërisht këto gjëra kanë rëndësi për shqiptarët dhe se askush nuk do t’ia dijë për Ramën, Bashën apo Metën. Sipas tij, askush nuk e di se çdo ndodhë në 2020, nëse Meta do të jetë ende president apo në burg. Një deklaratë e tij që vjen në një moment kur parlamenti ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit.
“Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk do t’ia dijë aq për Ramën apo për Bashën. Askush nuk do t’ia dijë nëse 2020 do e gjejë Metën president apo do të jetë në burg. Shqiptarëve iu intereson ekonomia dhe jo sa herë zihen dhe duhen këta të tre.
Bëhet fjalë për një vendim për notë mesatare për të shkuar në Bachelor. Ky vendim lë të rinjtë shqiptarë pa punë. E para pse e lini rininë pa shkollë? E dyta, a është një praktikë ndërkombëtare? A e keni diskutuar me grupet e interesave? A nuk është shkelje e të drejtave të njeriut që një nxënës që s’ka këtë notë mesatare të mos hyjë në shkollë të lartë. Si mundet që qeveria të hyjë në gjithçka. Si e nxorët këtë vendim vetëm 2 javë përpara Maturës?”, tha Përmeti.
Ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaroi se nota mesatare për degën e Mësuesisë do të shkojë 8 ndërsa dega e Mjekësisë do të ketë një notë akoma më të lartë mesatare.
“Ligji i arsimit të Lartë të vitit 2015 i jep këshillit të ministrave tagrin për përcaktimin e një note mesatare. Do e çojmë në 8 notën mesatare për degën e Mësuesisë. Universiteti i Mjekësisë ka vendosur të shkojë përtej vendimit tonë duke vendosur edhe një notë akoma më të lartë mesatare. Kam biseduar me shumë maturantë. I kam njoftuar për vendimin që do të merret”, tha Shahini.