Deputetja socialdemokrate e Bundestagut gjerman, Nezahat Baradari, vlerëson vendimin e parlamentit gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por me disa kushte shtesë për Shqipërinë duke deklaruar se ky vendim synon të nxisë vazhdimin e reformave në vend.
“Është një sinjal i rëndësishëm për integrimin europian të të gjithë rajonit, që grupet parlamentare të koalicionit e hapën rrugën për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shprehet deputetja socialdemokrate, Nezahat Baradari në një deklaratë për Deutsche Wellen.
Të enjten Bundestagu do të hapë përfundimisht dritën e gjelbër për këtë, thekson Baradari.
Por deputetja gjermane e vë theksin tek vazhdimi i reformave. “Të dyja vendet duhet tani të vazhdojnë pa ndryshuar përpjekjet për reforma. Së bashku me partnerët tanë europianë ne do ta ndjekim këtë proces në mënyrë intensive dhe në rast nevoje do të kërkojmë përpjekje të tjera”, është shprehur Baradari.
Të martën grupet Parlamentare të Koalicionit Qeverisës CDU-CSU dhe SPD në Bundestagun Gjerman votuan një rezolutë që i rekomandohet qeverisë federale për hapjen e negociatave me kushte për Shqipërinë. Në krye të shqetësimit të Bundestagut gjerman është kriza politike në Shqipëri, e cila në rezolutë, konsiderohet e rëndë, ndaj edhe apelohen palët të nisin sa më shpejt dialogun për ta kapërcyer atë. Parlamenti gjerman kërkon gjithashtu që institucionet e drejtësisë të jenë funksionale si dhe realizimin e reformës zgjedhore./realstory.al