PD: Reformë me ndërkombëtarët

AKTUALITET


Partia Demokratike ka dy kushte për realizimin e reformës zgjedhore. E para është ngritja e një strukture të posaçme të përbërë nga përfaqësues të OSBE, BE dhe SHBA-së dhe kushti i dytë është që parlamenti të përfaqësohet vetëm me një përfaqësues duke nënkuptuar se PD nuk pranon përfaqësimin e opozitës parlamentare e cila u krijua pas bojkotit që PD dhe opozita i bëri parlamentit duke djegur mandatet e deputetëve.

“Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar”, tha Kaso në tryezë.


Borchard: Vendi ka nevojë për dialog dhe unitet dhe kjo është sfida e OSBE-së

Ambasadori i OSBE, Borchard ka qenë i pari që ka marrë fjalën në nisjen e tryezës. Ai tha se sfida e OSBE është nisja e dialogut në vend për t’i dhënë fund krizës.

“Vendi ka nevojë për dialog dhe unitet dhe kjo është sfida e OSBE-së. Dje parlamenti gjerman kaloi një mocion që mbështesin hapjen e negociatave. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme dhe kjo është edhe në rekomandimet e OSBE-së. Vitin e kaluar ka pasur progres për reformën zgjedhore kanë bashkëpunuar të gjithë aktorët politikë. Do të diskutojmë sot se cfarë efektesh do të ketë sistemi i ri zgjedhor dhe si do të ndikojë më tej. Pres nga partitë që të japin propozime konkrete. Është e rëndësishme ti rikthehemi dialogut, pasi kjo do të ndikojë patjetër te reforma zgjedhore. Shpresoj që kjo konferencë të ndikojë në procesin e mëtejshëm. Është një zgjedhje që duhet ta bëjnë partitë shqiptare. Duhet të jeni të hapur për të diskutuar për këtë çështje. Pjesëmarrja duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Duhet të merret vendimi, a duhet ta ndryshojë Shqipëria sistemin zgjedhor. Ne nuk mund të bëjmë imponime, kemi dhënë rekomandimet tona”, u shpreh ambasadori i OSBE.

Më pas fjalën e ka marrë bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar Damian Gjiknuri, i cili ka debatuar me deputetin e opozitës së re Kujtim Gjuzi. Ky i fundit kërkoi që fillimisht fjalën ta marrë Rudina Hajdari, kryetarja e grupit parlamentar të PD-së në Kuvend dhe më pas përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso. Që të dy debatuan në prani të ambasadorit.

Por Gjiknuri tha se axhenda është dakordësuar me palët paraprakisht.

Më pas Gjiknuri në fjalën e tij vlerësoi praninë e PD dhe opozitës së bashkuar në këtë tryezë, duke e cilësuar atë një ogur të mirë për nisjen e dialogut. Gjiknuri gjithashtu tha se është se maxhoranca është e hapur për të diskutuar edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“E shoh një ogur të mirë ardhjen e PD dhe përfaqësuesve të opozitës në këtë tryezë. Sistemet zgjedhore janë gjithçka që evolojnë, nuk janë të fiksuara. Pjesëmarrja juaj për ndryshimin e sistemit zgjedhor është një ogur i mirë. Gjithë përfshirja të jetë motoja e këtij komisioni të reformës zgjedhore”, tha Gjiknuri.

Kaso: Reformë, jashtë parlamentit

Në qëndrimin e saj zyrtar, opozita nuk e njeh legjitimitetin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Duke e cilësuar si një organ që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, pasi ka dalë nga zgjedhjet e blera me krimin në 20017-ën, qëndrimi i opozitës për mosnjohjen e këtij komisioni është i qartë: “Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare,”- është shprehur Ivi Kaso në emër të opozitës së bashkuar.

Propozimi i opozitës për zgjidhjen e këtij problemi është ngritja e një grupi të posaçëm për reformën, që përfaqëson drejt elektoratin shqiptar, në përbërje të të cilit të ketë edhe përfaqësues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë. “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar.. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime”, tha Kaso.

Përveç angazhimit për të realizuar reformën zgjedhore përmes një strukture të posaçme ekstraparlamentare, një pikë tjetër e rëndësishme e qendrimit të opozitës është gatishmëria e PD dhe aleatëve të saj për të diskutuar jo thjesht ndryshimin e disa neneve në Kod, por për të bërë një reformë të thellë partiake dhe kushtetuese. Duke e konsideruar të domosdoshme përfshirjen në hartimin e reformës edhe të grupeve të interesit dhe shoqërisë civile, opozita kërkon që reforma të realizohet përmes 3 ndërhyrjeve madhore. 

“Opozita e Bashkuar angazhohet për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit. Asnjë Reformë nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk ekziston vullneti politik dhe institucional për të zbatuar ligjet në fuqi. Reformat Zgjedhore marrin kuptim vetëm atëherë kur krimet elektorale të së shkuarës të jenë hetuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur dhe autorët e krimeve të jenë përballur me ligjin.”- thuhet në qëndrimin e opozitës.

Në përfundim të fjalës së tij, Ivi Kaso nga PD dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës u larguan nga tryeza e OSBE. Gjithësesi ky shënon një hap të parë të opozitës drejt nisjes së dialogut politik. Ky hap i opozitës është vlerësuar maksimalisht edhe nga SHBA përmes një reagimi për mediat./realstory.al




Skip to toolbar