Detaje nga operacioni i RENEA në Vlorë: Shoqërohen 5 persona, mes tyre vëllai i “të fortit” të Selenicës

AKTUALITET


Vëllai i Tesi Bashos, Santiljano Basho është një nga pesë të shoqëruarit në kuadër të operacionit të RENEA-s mbrëmjen e sotme në Vlorë.

Tesilvan ose Tesi Basho ka qenë një nga njerëzit më të kërkuar në Itali për vrasjen e dy prostitutave dhe i dënuar me burgim të përjetshëm në nëntor të 2016 nga gjykata e Torinos. Basho është marrë i pandehur dhe është dërguar në gjyq nga prokuroria e Vlorës.

Tesi Basho fshihej në Shqipëri ku përdorte emrin Thanas Lame. Me këtë emër ai kishte arritur që të nxirrte një kartë identiteti si dhe të martohej.

Ai është vënë në pranga nga policia në tetor të vitit 2019 ndërsa në banesën e tij u sekuestruan dy automatikë, pistoletë “Glock”, radio marrëse-dhënëse, kallëpe tritoli dhe sende të tjera të paligjshme.

Ndaj Bashos janë të ngritura 5 akuza ajo e “Shtrëngimit me anë të kanosjes me qëllim marrjen e pasurisë”, “Mbajtjes pa lejë e armëve”, “Falsifikimit të dokumenteve”, “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “Kultivim të lëndëve narkotike”.

Pas dënimit në Shqipëri, Basho dot të ekstradohej në Itali, ku është dënuar me burgim të përjetshëm.

Historia e te fortit te Selenicës

Në vitin 2016, Basho u arratis nga burgu i Rebibbos në Itali. Ai u kap në Shqipëri, në operacionin Selenica, dhe bashkë me të u ndalua edhe vëllai i tij, Santiljano Basho, në ngarkim të të cilit kishte një urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi dyshohej për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Të dy vëllezërit dyshohet se në janar të vitit 2017, nëpërmjet dhunës, kanë kërcënuar një shtetas për dhënie pasurie rreth 100 000 euro. Vëllezërit dyshohen gjithashtu edhe për kryerje të veprave të tjera penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri Kallashnikov me 6 krehëra me fishekë, 1 armë zjarri pistoletë me dy krehëra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 5 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme.

Dosja e Tesi Bashos është e ndarë në tre pjesë, ku për akuzën e gjobëvënies 100 mijë euro ai është marrë i pandehur në Janar 2020 dhe ndodhet në fazën e gjykimit në Vlorë.

Ndërsa për katër akuzat, e tjera Basho është çuar tashmë në gjyq dhe pritet që për të, të fillojë gjykimi. Kurse dosja e tretë ka të bëjë me ekstradimin ose jo të Bashos në Itali, pasi pak vite më parë ai është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia Italiane për ekzekutimin e dy prostitutave në Itali.

Për këtë krim, Basho është arrestuar në Itali, por mundi të arratiset nga burgu duke përdorur çarçafë dhe më pas ka gjetur strehim të Selenicë të Vlorës.



Skip to toolbar