Detaje nga vrasja në Dhërmi, autori donte ta asgjësonte trupin e viktimës, por e hodhi në gurore sepse…

AKTUALITET


Hetimet e policisë për vrasjen në Dhërmi të Eraldo Nevruzit kanë zbuluar detajin tronditës të tentativës për të zhdukur viktimën. Burimet thonë se pas vrasjes, autori i dyshuar Gerald Shehu ka tentuar të zhdukë trupin e pajetë, por në pamundësi, ka djegur vetëm sendet personale që ai posedonte. Më pas me ndihmën e dy bashkëpunëtorëve, punonjës të hotelit që ai drejton, Gerald Shehu ka transportuar trupin e 31-vjeçarit me makine dhe e ka hedhur në një gurore në zonën e Gjipesë, ku u gjet mesditën e të premtes.

Përpjekjet për të zhdukur çdo provë që lidhnin autorin me krimin dhe tentativën e tij për t’u larguar jashtë vendit thellohen edhe më, teksa zbulohet fakti se nga brenda hotelit është telefonuar policia për të denoncuar zhdukjen e recepsionistit. Për shkak të historikut të familjes së autorit, që nuk ishin të panjohur për policinë, kjo e fundit ka shkuar në hotel pa kaluar 48 orë për ta shpallur të zhdukur 31-vjeçarin duke marrë në pyetje punonjësit, deklarimet e të cilëve kishin kontradikta.

Për ngjarjen e rëndë policia ka arrestuar 2 punonjësit, të cilët do të dalin ditën e diel para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ndërsa pritet edhe ekstradimi nga Greqia i Gerald Shehut, ku u arrestua në tentativë  për të ikur drejt Anglisë. Po sot policia njoftoi edhe ndalimin e shoferit të ambulancës së morgut, pasi kishte filmuar trupin e pjatë të Erald Nevruzit me qëllim bërjen mediatike.



Skip to toolbar