Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga ndeshja e madhe me Italinë, e para për Shqipërinë në Euro 2024, që tani trajneri Silvinjo po mendon për 11 titullarët që do të hedhë në fushë.
Ekipi zhvilloi seancën e parë në Gjermani, ku braziliani kishte disa dilema për sa i përket formacionit që pritet të zbresë në fushë. Dyshimet nisin që në portë, me Etrit Berishën që ka pasur disa shqetësime në shpinë, dhe me shumë gjasa vendin e tij mund ta marrë Strakosha.
Në anën tjetër, Hysaj duket më i avantazhuar se Balliu ndërsa balotazh të fortë ka dhe në qendër të mbrojtjes mes Ismajlit dhe Ajetit. Pjesa tjetër e ekipit nuk do të këtë ndryshime. Me Gjimshitin dhe Mitaj që plotësojnë katërshen e mbrojtjes.
Në mesfushë, Asllani-Ramadani dhe përpara tyre Bajrami, ndërsa sulmi me shumë gjasa do të nisë me treshen, Seferi-Asani dhe në qendër Armando Broja. Të paktën ky formacion është ndjekur si në miqësoret e fundit, ashtu dhe në seancën e fundit stërvitore.
Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, qindra shqiptarë kishin ardhur në qendrën stërvitore ku kuqezinjtë stërviten për ta përshëndetur nga afër ekipin dhe për ta mbështetur në prag të ndeshjes në Dortmund.
Takimi i parë për kuqezinjtë në grupin B, do të jetë përballë Italisë këtë të shtunë në orën 21:00.