De Biasi për Shqipërinë: Kanë talent, s’janë për t’u nënvlerësuar

KOMBËTARE


Shqipëria gjeografike është afër, por ajo futbollistike mbetet larg, në emra, histori dhe trofe. Pavarësisht se vitet e fundit Seria A është populluar me lojtarë shqiptarë, madje disa prej tyre luajnë në skuadrat e mëdha, përtej Adriatikut kërkojnë ende të zbulojnë më shumë nga kombëtarja kuqezi, sidomos tani që do ta kenë përballë në ndeshjen e parë të Euro 2024.

Dhe për të marrë më shumë informacion, “La Gazzetta Dello Sport” ka gjetur njeriun e duhur, që në të dy brigjet është në shtëpinë e tij. Flasim për Gianni De Biasi, ish-trajnerin dhe arkitektin e kualifikimit të parë të Shqipërisë në finalet e një Kampionati Evropian.


“Asllani dhe Ramadani dinë të filtrojnë dhe të rinisin aksionin nga mesfusha. Broja është sulmuesi kryesor, i fortë fizikisht dhe mund të shfrytëzojë çdo rast minimal. Asani dhe Seferi i japin fantazi skuadrës shqiptare nga krahët. Dhe kujdes nga tifozët e tyre: të shtunën në Dortmund do të jenë me mijëra shqiptarë entuziastë”,- u shpreh ish-tekniku i Kombëtares së Shqipërisë.

Të gjitha këto, shtuar këtu edhe brazilianin Svlvinho në pankinë, për De Biasi, Italia mbetet favorite, por nënvlerësimi mund të ishte fatal për “Të kaltërit”.

“Nuk e di si do të zgjedhë të luajë trajneri Sylvinho, nëse do ta sulmojë Italinë, apo do ta presë. Shqipëria e tij bën një lojë propozitive. Sylvinho ka pasur mjeshtra të mëdhenj në karrierë, për shembull, ka punuar me Roberto Mancini. Shqipëria është një kundërshtar që nuk duhet nënvlerësuar dhe këtë Spalletti e di mirë, por, Italia është favorite”,- tha më tej strategu italian.

Ndërkaq, kujtojmë se me trajnerin Gianni De Biasi, Shqipëria luajti në finalet e Euro 2016, por që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra, ndërsa skuadra “kuqezi” ka më shumë eksperiencë ndërkombëtare.




Skip to toolbar