4 persona në kërkim për dhunimin e administratorit në Peqin

AKTUALITET


4 persona janë shpallur në kërkim nga policia e Peqinit pasi akuzohen për dhunimin e administratorit të njësisë Administrative Gjocaj, Bilal Hasa për shkak se ai kundërshtoi zgjedhjen e kryetarit të ri të degës së PS-së në Peqin.

Sherri në Peqin ka ndodhur pak ditë më herët, pas mbledhjes së zhvilluar për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës së Partisë Socialiste në Peqin ku i pranishëm ka qenë edhe Taulant Balla dhe ku kryetar është zgjedhur Madrid Sula.

Bilal Hasa ka kundërshtuar zgjedhjen e Madrid Sulës si kryetari i ri i degës së PS në Peqin. Konflikti ka nisur pikërisht pas ikjes së Taulant Ballës, ku Hasa është qëlluar me sende të forta dhe shkelma nga persona, të cilët dyshohet se njihen mes tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë se disa persona kanë goditur me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Shtetasit që kishin goditur administratorin e Njësisë Administrative, sapo kanë parë Policinë janë larguar menjëherë.

Policia e Peqinit ka shpallur në kërkim shtetasit E. M., 30 vjeç, Xh. M., 23 vjeç, A. M., 32 vjeç, (vëllezër) dhe K. S., 35 vjeç, banues në Peqin dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi N. M., 61 vjeç, banues në Peqin.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në qytetin e Peqinit, për shkak të detyrës, kanë goditur me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, shtetasin Bilal Hasa, 29 vjeç, jashtë rrezikut për jetën.



Skip to toolbar