Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se ka arrestuar efektivin e Gardës së Republikës, Martin Nikolli.
Ky i fundit, së bashku me anëtarë të tjerë të fisit të tij, kanë dhunuar 2 pjesëtarë të familjes Kaçi paraditen e sotme në Hamallaj të Durrësit.
Martin Nikolli gjatë sherrit ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit, por për fat të mirë nga të shtënat nuk është lënduar njeri, ndërsa policia ka bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor M. N., pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme.
Veprimet procedurale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve. Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye “Arrestimi në flagrancë” i shtetasit M. N., 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.”
Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë)
Në lidhje me ngjarjen e rëndë reagoi edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale u shpreh se ngjarja e ndodhur në Hamallaj është e dënueshme. Ajo shton se inkurajon organet ligj-zbatuese të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të dënohet kushdo që ka gisht në ngjarje.
Ndërkohë, vetëm pak minuta pas raportimit të ngjarjes, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, gardisti Martin Nikolla është përjashtuar nga radhët e Gardës së Republikës.