Katër ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kosovën e viziton të mërkurën Richard Grenell, i emëruari i Donald Trump për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Lajmi është konfirmuar nga zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e cila njoftoi se kreu i shtetit pret në zyrën e tij emisarin e Donald Trump të mëkurën në orën 13:00.
“Në orën 13:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Përfaqësuesin Special të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Kjo do të jetë vizita e parë e Grenell në Kosovë, pas marrjes së detyrës disa ditë më parë. Richard Grenell është ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani.
Gjithashtu, mediat në Kosovë, raportojnë se Grenell pritet të takohet edhe me fituesit e zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurtin nga Vetëvendosja. Më herët, në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, pasi vlerësohej procesi zgjedhor në Kosovë, SHBA shprehte dëshirën për të bashkëpunuar me një qeveri pro-dialogut me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve.