Një zjarr i fuqishëm ka rënë në fshatin Vreshtas në Fier, ku sipas të dhënave ka marrë përmasa të mëdha dhe është i pamundur lokalizimi i tij.
Nga burimet pranë zjarrfikëseve mësohet se gjatë ditës së enjte janë djegur dy shtëpi dhe dhjetëra rrënjë ullinj, duke shkaktuar kështu dëme të konsiderueshme. Zjarri po mundohet të lokalizohet sepse janë duke u rrezikuar banesat.
Ndërkaq bëhet me dije se në krye të kësaj pune janë vënë forcat zjarrfikëse të Patosit, të udhëhequr nga shefi i forcave zjarrfikëse, Alket Halimi. Terreni i thyer dhe paksa i vështirë bënë që dhe ndërhyrja të jetë e pamundur.
Flakët në fshatin Vreshtas të Cakranit, janë favorizuar edhe nga era e fortë, e cila ka nisur rreth mesditës. Në vendngjarje kanë shkuar për ndihmë mjetet zjarrfikëse të Fierit e Patosit, të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve.
Nuk dihet shkaku i zjarrit, por bëhet me dije se në të njëjtën zonë katër ditë më herët është regjistruar një tjetër vatër, por që është fikur në kohë nga zjarrfikësit.